Zëvëndëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, e ka cilësuar si një tregues besimi marrëveshjen IPA 2022, marrëveshje financiare kjo e nënshkruar në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Me anë të një postimi në Facebook, Bislimi ka bërë të ditur se nga marrëveshjet me IPA-në, Kosova do të përfitojë 200 milionë euro në total.

“Marrëveshja e dytë financiare me BE në vetëm 1 muaj dhe e treta me radhë në 6 muajt e fundit. Me Bashkimin Evropian i kemi nënshkruar tri marrëveshje për programet IPA, përmes të cilave, Kosova përfiton në total mbi 200 milionë euro si ndihmë të drejtpërdrejtë financiare. Vetëm me nënshkrimin e sotëm, do të ndahen 62 milionë euro. Arritja e këtyre tri marrëveshjeve për një kohë kaq të shkurtër është edhe një tregues i besimit të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë se Kosova ka kapacitetet e plota për t’i zbatuar me sukses këto projekte.”, ka shkruar ai.

Krahas ndihmës financiare të BE-së, ai ka bërë të ditur se projektet do të bashkëfinancohen edhe nga ana e Kosovës. Bislimi pret procedimin e marrrëveshjes së nënshkruar sot, me ç’rast fillon realizimi i projekteve.

“Ato do të bashkëfinancohen edhe nga buxheti ynë në shumën prej 4.7 milionë eurosh e po ashtu dhe me financim nga partnerë të tjerë bilateralë në masën 24.88 milionë euro, duke mundësuar në total zbatim të fondeve në vlerën 91.83 milionë. Presim që marrëveshja të procedohet sa më shpejt dhe të hyjë në fuqi, në mënyrë që realizimi i projekteve të fillojë menjëherë”, ka deklaruar ai.