Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi thotë se Serbia qëndron pas shpërthimit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit dhe për këtë arsye nuk do të ishte e logjikshme që të bëhej pjesë e hetimit të krimit.

Megjithëse Beogradi ka mohuar të ketë pasur rol në shpërthimin që ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, Bislimi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se “të gjitha informacionet që kemi çojnë në vetëm një adresë”.

Sipas zv/kryeministrit, i cili është edhe kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ky incident i fundit rikonfirmon se Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe se vetëm ajo është përgjegjëse për ngecjen, pavarësisht nga kritikat perëndimore ndaj të dyja palëve.

“Tani duhet të kujdesemi që sulmi terrorist që ka ndodhur në kanalin e ujitjes, apo të ujësjellësit, në Ibër Lepenc, të mos bëhet një test i aftësisë së Kosovës për ta dëshmuar kryesin e krimit, edhe e aftësisë së Serbisë për të kryer një krim perfekt. Të gjitha informacionet që kemi çojnë në vetëm një adresë dhe mendoj që do të ishte e palogjikshme që tash të merremi me atë nëse ka dëshmi të mjaftueshme, apo jo. Ajo që është me rëndësi, është të analizohet se cili ka qenë qëllimi primar i këtij sulmi. A ka qenë vetëm dëmtimi i kanalit, apo ka qenë synimi që kjo të shkatërrohet në tërësi, që pastaj të pamundësohet furnizimi me energji elektrike, me ujë dhe me komunikime? Apo ka qenë vetëm synimi që të dërgohet sinjali se Serbia ka ende potencial për të destabilizuar Kosovën dhe kjo pastaj të përdoret për të rritur fuqinë negociuese të tyre në Bruksel.

Institucionet e policisë kanë kërkuar bashkëpunim me segmente të caktuara ndërkombëtare, por duhet të kuptojmë edhe natyrën e krimit. Sulmi terrorist ka ndodhur në kanalin që sjell ujë. Do të thotë që edhe shpërthimi ka ndodhur aty dhe rrjedhimisht do të jetë e vështirë që në vendin e krimit të gjenden dëshmi të caktuara. Dëshmitë që ne kemi kanë të bëjnë me komunikimet që kanë ndodhur përpara sulmit dhe ndoshta pas saj, që pastaj kërkojnë një natyrë tjetër të forensikës.

Duhet të kujdesemi që sulmi terrorist që ka ndodhur në Ibër-Lepenc të mos bëhet test i aftësisë së Kosovës për ta dëshmuar kryerësin e krimit dhe aftësisë së Serbisë për ta kryer krimin perfekt. Të gjitha informacionet që i kemi çojnë në një adresë dhe do të ishte e palogjikshme që tash të merremi a ka dëshmi të mjaftueshme apo jo. Duhet të analizohet cili ka qenë qëllimi primar i këtij sulmi, a ka qenë dëmtimi i kanalit apo synimi që të shkatërrohet në tërësi që më pas të pamundësohet furnizimi me ujë, energji elektrike dhe komunikime, apo ka qenë qëllimi të dërgohet sinjal që Serbia ende ka fuqi ta destabilizojë Kosovën dhe ta rrisë pozitën e tyre negociouese në Bruksel”, ka thënë Bislimi.