Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

“Kosova dhe Zvicra ndajnë një miqësi e partneritet të ngushtë mes tyre. Në këtë takim, u bisedua mbi forcimin e bashkëpunimit, potencialin për zhvillim të Kosovës dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investim. Ambasadori Kolly nga ana e tij veçoi sektorin e TI dhe suksesin e Kosovës në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Më tutje, në komunikatë theksohet se Bislimi dhe ambasadori Kolly kanë zhvilluar bisedat miqësore.

“Edhe në këtë takim lamtumirës ata e vlerësuan njëri tjetrin për gatishmërinë për bashkëpunim dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes shteteve tona”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Zëvendëskryeministri e ka falënderuar ambasadorin zviceran për kontributin e tij, duke ritheksuar se Zvicra mbetet partnere e rëndësishme me të cilën ndajmë vlera të përbashkëta.