Bislimi thotë se liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë se liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi dhe po punohet për të patur zhvillime pozitive dhe dinamikë të re në këtë çështje, për të cilën Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe po punon ngushtë me shtetet anëtare të BE-së

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi në “Konferencën Rajonale të Misioneve Norvegjeze në Evropën Juglindore”, foto: ZKM





Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, në “Konferencën Rajonale të Misioneve Norvegjeze në Evropën Juglindore”, ka thënë se Kosova është e orientuar drejt një zhvillimi gjithëpërfshirës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian(BE).

“Agjenda evropiane për këtë vit është ambicioze ku shënojmë një vit të rëndësishëm pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe synimit për aplikim për anëtarësim në BE brenda këtij viti”, është shprehur Bislimi.

Sipas Bislimit, liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi dhe po punohet për të patur zhvillime pozitive dhe dinamikë të re në këtë çështje, për të cilën Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe po punon ngushtë me shtetet anëtare të BE-së.

Gjithashtu, gjatë vitit të fundit, zëvendëskryeminstri ka thënë se është shënuar dhe progresi më i madh dhe i rëndësishëm në implementimin e reformave në fusha kyçe në kuadër të agjendës evropiane.

“Avancimi që ka njohur Kosova, ka shfaqur potencialin tonë për shtrirje më të gjerë të trajektores sonë të zhvillimit, përtej barrierave ekzistuese. Vendi ka njohur rritje me 17 pozicione në indeksin e Transparency International e po ashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka vijuar ai.

Ai ka thënë ndër të tjera se Kosova po përballet me sfida të përbashkëta me vendet e tjera të BE-së dhe kontinentit evropian, siç është kriza e energjisë, si efekt i krijuar nga agresioni i pajustifikuar rus në Ukrainë.

E për këtë siç thotë ai, weveria ka marrë masa për lehtësimin e krizës energjetike ku dhe janë ndarë në total përgjatë vitit “mbi 100 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike me synim për të ulur ndikimin e rritjes së tarifave tek konsumatorët si dhe së fundmi 6 milionë euro për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë”.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka theksuar veçanërisht se Kosova është palë aktive dhe konstruktive, e përkushtuar në arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, në qendër me njohje reciproke.

Po ashtu zëvendëskryeministri Bislimi ka falënderuar Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl si dhe përfaqësuesit nga Misionet Norvegjeze në Evropën Juglindore për mikpritjen dhe diskutimin e frytshëm të zhvilluar në kuadër të konferencës.





Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika