Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka nisur udhëtimin drejt Brukselit me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman.

Udhëheqësi i delegacionit kosovar, Bislimi do të marrë pjesë në një takim të përbashkët ku do të bisedohet për Planin për Rritje.

Sipas njoftimit të Qeverisë, takimi ka për qëllim prezantimin dhe diskutimin e fushave dhe projekteve prioritare në agjendën e reformave të Republikës së Kosovës përpara Bashkimit Evropian.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Me ftesë nga drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ai do të udhëheqë delegacionin nga Republika e Kosovës në një takim të përbashkët ku do të diskutohet mbi Planin për Rritje (Growth Plan). Republika e Kosovës do të prezantojë e diskutojë me BE-në mbi fushat dhe projektet prioritare në agjendën tonë të reformave”, thuhet në njoftim.

Përveç Bislimit, delegacioni përbëhet edhe nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.