Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka publikuar një video të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, ku ky i fundit shprehet qartë kundër pranimit të Kosovës si shtet të pavarur.

Në postimin e tij në platformën “X”, Bislimi ka theksuar se Serbia ka refuzuar të nënshkruajë çdo marrëveshje që nënkupton pranimin e Kosovës Republikë.

Vuçeviq në videon e publikuar nga Bisilimi dëgjohet duke deklaruar: “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar planin franko-gjerman. Sërish po ua them, nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Nuk e kemi nënshkruar dhe kemi dhënë deklaratë të qartë përcaktuese, e kemi thënë shumë qartazi se çfarëdo gjëje që nënkupton të ashtuquajturën Kosovë të pavarur është e papranueshme”.

Në këtë kontekst, Bislimi ka thënë se Vuçeviqi ka ngritur pyetje për Bashkimin Evropian (BE), duke e bërë të qartë se për ta nuk ka Marrëveshje Bazë me Republikën e Kosovës.

“Kryeministri i Serbisë po i pyet Përfaqësuesit e Lartë të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planeve të sekuencimit na duhen para se ta zbulojnë të vërtetën të gjitha shtetet anëtare?”

Serbia’s PM asking EUSR & EEAS: What else is needed to convince you that for Serbia there is no Basic Agrmt? That their participation in the dialogue is faked just to avoid eventual sanctions? How many more drafts of sequencing plans we need before revealing the truth to all MS? pic.twitter.com/neC56DI3rV

— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) July 24, 2024