Bizneset e mëdha vazhduan me protesta, kërkuan shtyrjen e hapjes së tregut të energjisë
Bizneset e mëdha, të cilat nga 1 Qershori janë nxjerrë në tregun e hapur të energjisë elektrike me vendim të Rregullatorit, protestuan sërish me kërkesë shtyrjen e këtij procesi për një vit. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, të cilën po e kërkojnë, bizneset thanë se ZRRE-ja dhe Qeveria duhet të ulen për të përgatitur tregun dhe […]
Bizneset e mëdha, të cilat nga 1 Qershori janë nxjerrë në tregun e hapur të energjisë elektrike me vendim të Rregullatorit, protestuan sërish me kërkesë shtyrjen e këtij procesi për një vit.
Gjatë kësaj periudhe tranzitore, të cilën po e kërkojnë, bizneset thanë se ZRRE-ja dhe Qeveria duhet të ulen për të përgatitur tregun dhe për të gjetur mënyra se si t’ua lehtësojnë bizneseve procesin e daljes në tregun e hapur.
“Ju lutem, mos e ulni prodhimin tonë, mos e favorizoni importin, mos e shndërroni shtetin e Kosovës ku do të na mbulojë importi, ku nuk do të kemi punësime, ku nuk do të kemi prodhime të Kosovës, kemi luftuar shumë, kemi investua me shumë mund që të kemi këtë prodhim dhe duhet ta ruajmë”, ka deklaruar Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
“Shteti i Kosovës ka nevojë për sektorin privat, si shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit, ne kemi nevojë për prodhues vendorë”, ka theksuar Agim Shahini – Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Ata listuan një varg pasojash nëse vendimi nuk pezullohet: nga rritja e kostos së operimit si pasojë e rritjes së faturës së rrymës, rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, ulja e konkurrueshmërisë dhe rrezikimi i vendeve të punës.
“Mos na detyroni t’i rrisim çmimet, respektojeni ligjin. Energjia është për zhvillim, jo për shkatërrim të biznesit prodhues. Ju lutemi shumë, reagoni sa nuk është vonë”, ka deklaruar Kushtrim Ajvazi, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës.
“Këta mbrapa neve nuk janë oligarkë, janë heronj të Republikës së Kosovës, këta prapa neve janë ata që ndërtuan institucione, rrugë, ura dhe sjellën gjithçka në vendin tonë”, kështu ka thënë Adem Qorroli, ekspert i ekonomisë.
Nga sheshi Skenderbeu, para ndërtesës së Qeverisë, ata marshuan deri te Zyra e Rregullatorit për Energji ku përcollën mesazhet e tyre.
Bizneset kërkuan që ZRRE-ja të marrë vendimin për shtyrjen brenda 10 ditësh, teksa paralajmëruan vazhdimin e protestave nëse vazhdon shpërfillja.
Nga 1 Qershori, rreth 1300 biznese me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor janë nxjerrë në tregun e hapur të energjisë.
Derisa institucionet mbesin të palëkundura në vendimin për hapjen e tregut, sipas përfaqësuesve, bizneset kanë marrë oferta për kontratë furnizimi vetëm nga KESCO, deri në 260% më të larta sesa tarifat e rregulluara.















