Sektori energjetik nuk është vetëm çështje ekonomike dhe zhvillimore por edhe çështje e sigurisë kombëtare. Ndërsa, për investitorët, furnizimi i sigurt dhe i përballueshëm me energji është po aq i rëndësishëm sa stabiliteti makroekonomik, kështu u tha se tryezën me temë “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se sot bizneset në Kosovë përballen me shumë sfida.
“Pyetja më e rëndësishme është çfarë sistemi energjetik i duhet Kosovës për të siguruar zhvillim ekonomik, konkurencë të bizneseve dhe tërheqje të investimeve?
Energjia nuk është vetëm një çështje teknike, ajo është një çështje ekonomike, zhvillimore dhe mbi të gjitha, një çështje e sigurisë kombëtare.
Sot, bizneset në Republikën e Kosovës përballen me shumë sfida. Konkurenca në tregjet ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më e fortë, kostot e prodhimit po rriten, ndërsa energjia elektrike mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton konkurencën e një kompanie. Çdo ndërprerje e energjisë nënkupton humbje të prodhimit. Çdo rritje e çmimit të energjisë nënkupton rritje të kostos të produktit. Në fund, këto kosto i paguan biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi”, tha Rafuna.
Ai tha se për bizneset energjia elektrike nuk është vetëm një faturë mujore, por një faktor kryesor nëse një kompani do të investojë në Kosovë.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të shtrenjtimeve të njëpasnjëshme ndër vite, prandaj për biznesin energjia nuk është vetëm një faturë mujore. Ajo është një nga faktorët kryesorë që përcakton nëse një kompani do të investojë, do të eksportojë apo do ta zgjerojë aktivitetin e saj në Republikën e Kosovës.
Një nga pyetjet që dëgjojmë më shpesh sot nga bizneset është: ku po furnizohesh me energji, sa po paguan energji? Shumë rrallë e dëgjojmë pyetjen: nga cili burim është prodhuar ajo energji?
Kjo nuk do të thotë se burimi i energjisë nuk ka rëndësi. Sigurisht që ka, por ka, por ka për biznesin prioritet është që energjia të jetë e disponueshme, e sigurt dhe me një çmim konkurues. Sepse biznesi nuk ndërton strategjinë e tij mbi emrin e burimit të energjisë, ai ndërton strategjinë mbi sigurinë e furnizimit dhe mbi koston e energjisë.
Në këtë kontekst duhet të shohim dhe diskutimin sot për gazin. Si Odë Ekonomike e Kosovës, ne jemi këtu për të promovuar një burim të vetëm energjie… pra nuk e promovojmë vetëm një burim të vetëm të energjisë, ne jemi këtu për të promovuar një ekonomi më konkuruese. Nëse gazi mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, në rritjen e sigurisë energjetike, në uljen e kostove dhe krijimin e kushteve më të mira për biznesin, atëherë ai duhet të analizohet seriozisht dhe profesionalisht. Jo mbi baza emocionale, jo mbi baza politike, por mbi baza ekonomike dhe strategjike”, tha Rafuna.
Ai tha se debati nuk duhet fokusuar në pytjen pro apo kundër gazit amerikan, por duhet zhvilluar në disa aspekte.
“Sipas ekspertëve, Kosova tashmë ka pasur përvojë me energjinë e prodhuar nga gazi përmes importit nga tregjet rajonale, prandaj është krejtësisht legjitime të shtrojmë pyetjen: pse të mos e analizojmë seriozisht edhe këtë alternativë si pjesë e opsioneve për të ardhmen? Jo për të ndjekur kurrfarë bindje të parakohshme, por për të marrë vendime të mira, të informuara dhe të bazuara për interesat afatgjata të ekonomisë të Republikës së Kosovës. Ky debat nuk duhet të reduktohet vetëm në pyetjen pro apo kundër gazit, ai duhet të zhvillohet nga shumë perspektiva: ekonomike, energjetike, mjedisore, gjeopolitike, të sigurisë së furnizimit dhe mbi të gjitha nga perspektiva e zhvillimit ekonomik të shtetit tonë. Vetëm duke i analizuar të gjitha këto dimensione mund të marrim vendime më të mira për vendin tonë”, shtoi Rafuna.
“Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë. Kosova duhet të vazhdojë në investimin në energjinë e ripërtëritshme. Dielli dhe era janë pjesë e të ardhmes sonë energjetike, por tranzicioni energjetik kërkon kohë. Si çdo sistem modern energjetik, mbështetet në diversifikim. Sa më shumë alternativa të kemi, aq më qëndrueshëm bëhet edhe sistemi. Sa më shumë burime energjie të kemi në dispozicion, aq më pak ekspozohemi ndaj krizave dhe luhatjeve të tregut.
Si Odë Ekonomike e Kosovës, ne lobojmë për një treg konkurues. Sa më shumë alternativa dhe sa më shumë ofertues të ketë Kosova për furnizim me energji, aq më e madhe është konkurenca. Sa më e madhe të jetë oferta, aq më konkurues bëhet çmimi. Dhe sa më konkurues të jetë çmimi i energjisë, aq më konkurues bëhet produkti dhe shërbimi i Republikës së Kosovës”, tha Rafuna.
Ndërsa, Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest tha se energjia elektrike është një nga faktorët kryesorë që përcakton konkurrueshmërinë e ekonomisë.
“U tha me të drejtë se tema që na ka mbledhur sot nuk ka të bëjë vetëm me gazin, por në esencë ka të bëjë me të ardhmen energjetike të Kosovës. Energjia sot është një nga faktorët kryesorë që përcakton konkurrueshmërinë e ekonomisë, aftësinë për të tërhequr investime, zhvillimin industrial dhe mirëqenien e qytetarëve. Për investitorët, furnizimi i sigurt dhe i përballueshëm me energji është po aq i rëndësishëm sa stabiliteti makroekonomik, sa infrastruktura, sa fuqia punëtore. Prandaj, politika energjetike është njëkohësisht në esencë politikë zhvillimore.
Në vitet e fundit Kosova ka bërë disa hapa të rëndësishëm përmes miratimit të strategjisë së energjisë, me theks të veçantë në promovimin e zhvillimit të burimeve të rinovueshme dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë. Ky është orientim i drejtë dhe duhet të vazhdojë, megjithatë zbatimi i strategjisë ka ecur më ngadalë seç ishte paraparë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e investimeve dhe reformave të planifikuara mbeten ende për t’u realizuar. Sidoqoftë, orientimet janë në përputhje me agjendën e gjelbër të Ballkanit Perëndimor, si dhe me vetë zotimet që Kosova ka marrë.
Megjithatë, peizazhi energjetik ka ndryshuar ndjeshëm që nga miratimi i strategjisë në mars të vitit 2023. Lufta në Ukrainë, rikonfigurimi i tregjeve evropiane të energjisë, ndërtimi i korridoreve të reja të gazit, zhvillimet teknologjike, rritja e kërkesës për energji, si dhe parashikimet për rritje të përshpejtuar të kërkesës për energji në vitet në vijim, e krijojnë një realitet të ri”, tha Hashani.
Ai tha se ka ardhur koha që Kosova të rishikojë strategjinë dhe ta perditësojë atë lidhur me nevojat e vendit.
“Për këtë arsye, ne besojmë se ka ardhur koha që edhe strategjia e energjisë të rishikohet dhe të përditësohet në mënyrë që të reflektojë këto zhvillime dhe nevojat e dekadave që vijnë.
Në Institutin Riinvest kemi argumentuar në vazhdimësi se debati nuk duhet të shtrohet si zgjedhje ndërmjet linjitit, gazit natyror apo burimeve të ripërtëritshme. Pyetja qendrore është se si mund të optimizohet miksi energjetik i Kosovës për të garantuar sigurinë e furnizimit, konkurrueshmërinë ekonomike dhe një tranzicion të suksesshëm drejt një ekonomie me emetime më të ulëta. Reduktimi i varësisë nga importi i energjisë elektrike nuk arrihet duke u mbështetur vetëm në një burim. Ajo garantohet vetëm përmes një diversifikimi sa më të madh të burimeve dhe të rrugëve të furnizimit. Pra, diversifikimi është themeli i sigurisë energjetike. Në këtë kuadër duhet të shihet edhe roli potencial i gazit natyror”, tha Hashani.
Kurse, Kushtrim Ajvazi, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, tha se ka pasur raste që në tavolinat e prodhuesve nuk është diskutuar kostoja, por vetëm furnizimi se a do të ketë energji të mjaftueshme.
“Jemi dëshmitarë të asaj që vitet e fundit kemi pasur situata me probleme të theksuara sa i përket furnizimit me energji elektrike. Madje kemi pasur situata të tilla ku kostoja nuk është diskutuar në tavolinat e prodhuesve, se sa do të paguhet, por vetëm që të kemi energji elektrike. Situata të tilla po i hasim edhe tani në rajone të ndryshme, ku një nga krizat e energjisë elektrike ndikon që një rajon të ndalet komplet prodhimi i energjisë, ndoshta edhe me ditë të tëra. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të kontribuojmë për ta larguar varësinë vetëm nga një burim i energjisë elektrike. U përmend edhe më parë që ekziston një strategji për krijimin e miksit të energjisë, sa i përket energjisë solare dhe energjisë me erë, e cila është shumë e mirëpritur dhe bizneset e sektorit prodhues kanë filluar të investojnë në këtë drejtim. Mirëpo, si temë e fundit që është përmendur, sidomos nga prodhuesit, është ndikimi i përdorimit të gazit në qëndrueshmërinë e energjisë në proceset e prodhimit që ata përdorin. Për neve si sektor prodhues, e rëndësishme fillimisht është qëndrueshmëria, pra të kemi furnizim të rregullt me energji, jo vetëm me energji elektrike”, tha ai.
Ai tha se shumë biznese prodhuese kanë filluar të kenë shumë sfida ku sipas tij njëra ndër to ka qenë edhe luhatja e madhe e çmimit të energjisë elektrike.
“Së fundmi, jemi dëshmitarë që bizneset prodhuese kanë filluar të depërtojnë në treg, sidomos në tregun evropian, përmes eksportit të produkteve të tyre. Shumë shpejt këtë vit, një pjesë e industrisë ka filluar të ballafaqohet edhe me çështjen e taksës së karbonit, si dhe me luhatje shumë të mëdha të çmimeve në tregun e energjisë elektrike. Janë tre faktorë që, në një formë, e pamundësojnë një planifikim të mirë si të prodhimit ashtu edhe të ekspozimit të produkteve në tregun rajonal. Sa i përket furnizimit të sigurt të energjisë elektrike, për momentin aktualisht rreth 99% e kemi vetëm një burim të energjisë elektrike, i cili është përmes KEK, me bazë thëngjillin. Së fundmi kanë filluar investime në panele solare dhe tash edhe në bateri. Ajo që është e rëndësishme dhe që duhet të përmendet shtesë nga ne, sidomos nga prodhuesit, është çështja e gazit. Sepse ekzistojnë dokumente dhe studime të para-fizibilitetit ku përmendet edhe afati, për raste të tilla ku ne mundemi shumë lehtë, përmes tubacionit të gazit me Shkupin, të bëjmë ndërlidhjen e gazit direkt me Kosovën, progresivisht. Projekti bazë kryesor është Shkup–Ferizaj dhe Ferizaj–Prishtinë, por në të njëjtën kohë ekziston edhe mundësia e zgjerimit në tërë territorin e Kosovës, ku kompanitë prodhuese mund të përdorin direkt gazin nga këto tubacione.Kjo do të ndikojë direkt, së pari, në planifikimin e çmimit, sepse nga historia dhe nga përvoja, unë kam përvojë edhe në përdorimin e gazit natyror në kompani prodhuese, gazi natyror ka një çmim të qëndrueshëm dhe historikisht nuk ka pasur luhatje shumë të mëdha të çmimit. Kjo është një përparësi për sektorin prodhues, sepse mundëson planifikimin e kostos”, tha Ajvazi./EO