Me kërkesën që të shtyhet për një vit dalja në treg të lirë të energjisë, biznese të Kosovës janë duke protestuar për herë të dytë në Prishtinë.

Protesta po organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës. Më 29 maj bizneset dolën në protestë si shenjë pakënaqësie lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke bllokuar hyrje-daljet në Prishtinë.

“Mos e ndal zhvillimin ekonomik”, “Mos na ndalni prodhimin”, “Importi falënderon ZRRE-në për ndihmën”, “Treg i lirë me zor, rritje e papunësisë”, “Mos e favorizoni importin”, “Energji për zhvillim jo për shkatërrim”, janë disa nga thirrjet e protestuesve. 

Protesta ka filluar nga ora 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe do të zgjasë deri në orën 12:00.

Një numër i madh i njerëzve është parë të jetë i pranishëm në këtë protestë.

Ndryshe, Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për liberalizimin e tregut të energjisë, ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë në treg të hapur dhe furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga shteti.

Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësime të shumta nga komuniteti i biznesit. Sipas tyre, çmimet e ofruara nga furnizuesit e licencuar janë dukshëm më të larta se ato që më parë rregulloheshin nga shteti. Për më tepër, një pjesë e kompanive furnizuese nuk kanë paraqitur ende oferta konkrete për bizneset.

Bizneset janë furnizuar me energji nga Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.