Blakaj: Gërmimet në Zubin Potok, zhvillim pozitiv për familjarët e të zhdukurve

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i ka vlerësuar si zhvillim pozitiv gërmimet që po zhvillohen në Zubin Potok, duke thënë se ato mund të kontribuojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999.

Duke folur për zhvillimet në lokacionin e dyshuar për varrezë masive, Blakaj tha se procesi i kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur është i rëndësishëm për familjarët e viktimave.

“Është thënë se gërmimet në Kalludër janë gërmimet e para pas disa vitesh për varreza masive. Ky është një zhvillim pozitiv sa i përket gjurmimit dhe identifikimit të personave që janë të zhdukur”, deklaroi Blakaj.

Ai kërkoi që të gjitha palët të tregojnë kujdes gjatë këtij procesi dhe që informacionet të jepen vetëm nga institucionet kompetente.

“Secila palë duhet të jetë e kujdesshme për zhvarrimet dhe është me rëndësi që autoritetet kompetente, si Komisioni për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të japin vetëm informacione të sakta”, u shpreh ai.

Sipas Blakajt, dyshimet janë se në këtë lokacion mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999, konkretisht të grupit intelektual të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill të atij viti.

“Është raportuar se ky lokacion mund të përbëjë mbetje mortore të personave të zhdukur të vitit 1999, të zhdukur më 19 prill. Bëhet fjalë për grupin intelektual të Mitrovicës”, tha ai.

Blakaj ka kritikuar reagimet e pales serbe qe , sipas tij, janë fokusuar më shumë në arrestimin e dy të dyshuarve për krime lufte sesa në zbardhjen e fatit të viktimave.

“Reagimi nga pala serbe ka qenë më shumë i drejtuar tek arrestimi i dy të dyshuarve për kryerjen e këtij krimi. Kjo është krejtësisht e panevojshme. Çdo autoritet duhet të ishte në anën e viktimave dhe në anën e së vërtetës”, deklaroi ai.

Ai theksoi se prioritet duhet të jetë zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe jo pengimi apo kritikimi i veprimeve të institucioneve që merren me këtë proces.

“Duhet të inkurajohet zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe jo të kritikohen veprimet e institucioneve apo të targetohen ato në drejtimin e zbardhjes së këtyre rasteve”, tha Blakaj.

Sa i përket personave të arrestuar, ai tha se është ende herët të përcaktohet përgjegjësia e tyre, por çdo i dyshuar për krime lufte duhet të përballet me drejtësinë.

“Është shumë herët të thuhet nëse këta persona janë fajtorë apo jo. Është me rëndësi që çdo i dyshuar për përfshirje në krime lufte të procesohet para gjykatës dhe të gjendet e vërteta”, përfundoi Blakaj.

 

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika