Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, ka deklaruar se mesazhi për bombë në Kuvendin e Kosovës është pjesë e luftës hibride që Serbia po zhvillon ndaj vendit tonë.

Duke folur në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Blakaj tha se telefonata lidhur me kërcënimin ka ndodhur mes personit të dyshuar dhe sekretares së zyrës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

“Ajo që dihet është se numri ka qenë nga MTS dhe është identifikuar, ndërsa emri i personit është Llazar Zhivkoviq”, u shpreh ai.

Blakaj theksoi se kjo ngjarje është pjesë e luftës hibride që Serbia po e vazhdon ndaj Kosovës, me mbështetjen e aleatëve strategjikë të saj.

“A është luftë hibride? Po, është. Serbia tenton t’i bëjë vazhdimisht këto gjëra ndaj Kosovës”, tha ai.

Ai gjithashtu përmendi se kompania MTS, sipas marrëveshjes me Bashkimin Evropian, është e obliguar të ndajë informacione me institucionet e Kosovës në raste të tilla, por nuk e ka respektuar këtë obligim.

“Sikurse në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ku MTS nuk i dha Policisë së Kosovës informacionet e nevojshme dhe dyshohet se i ka shlyer apo zhdukur ato, edhe tani kanë vepruar njëjtë”, shtoi Blakaj.

Ai përmendi edhe rastin e sulmit në Ibër Lepenc, ku sipas tij, MTS sërish nuk e ka respektuar marrëveshjen me BE-në.