Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, në emisionin FIVE në RTV Dkagjini ka thënë se Serbia ka konceptuar një politikë gjenocidale që nga viti 1877, kur ka ndërtuar politikën ekspansioniste për të krijuar shtetin gjithserb, ose atë që sot e quajmë “bota serbe”.

Blakaj tutje ka thënë se Srebrenica nuk është masakra e parë ose gjenocidi i parë që e ka bërë Serbia ndaj popujve të Ballkanit.

“Sepse vrasjet masive kanë filluar qysh në vitin 1877-78, sidomos në rajonin e Toplicës, pastaj në rajonin e Sanxhakut dhe ka vazhduar kështu deri në vitin ’99”, ka thënë ai.

“Srebrenica e ndodhur në vitin 1995 ka qenë një ngjarje e atij projekti që shteti i Serbisë e ka ndërtuar dhe ka tentuar ta realizojë. Fatkeqësia më e madhe në këtë është mbështetja dhe lejimi nga forcat e mëdha që i kanë dhënë tagër Serbisë që ta realizojë këtë. E para që e ka ndihmuar drejtpërdrejt, qoftë me edukimin dhe forcimin ushtarak, me mbështetje të teknologjisë dhe me elaborate shkencore për të realizuar të gjitha këto, është shteti rus”, ka thënë ai ndër të tjera.