Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është në rrugë për në Izrael për një vizitë, ku pritet të përcjellë një mesazh të fortë të mbështetjes së presidentit amerikan, Joe Biden, për aleatin e ngushtë, Izraelin.

Në fjalën e tij të djeshme, presidenti Biden ka shprehur “mbështetje solide për Izraelin”, dhe sekretari Blinken do të paraqesë këtë mesazh në një fjalim që do të mbahet personalisht para liderëve izraelitë.

Ndërkohë, me arritjen e aeroplanmbajtësjes “USS Gerald Ford” në Mesdhe, pritet të shtohen ndihmat ushtarake që SHBA do t’i dërgojë Izraelit, duke thelluar edhe më tej marrëdhënien ushtarake ndërmjet dy vendeve.

Gjatë vizitës së tij në rajon, Blinken nuk do të mungojë të takohet edhe me liderët jordanianë, përfshirë mbretin Abdullah.

Mbretëria e Jordanisë ka shprehur nevojën e intensifikimit të përpjekjeve diplomatike për të parandaluar pasoja të rrezikshme për sigurinë e rajonit që mund të shkaktohen nga tensionet dhe konfliktet në rajon.

Ndërsa udhëton drejt Izraelit, sekretari Blinken merr përsipër një situatë të tensionuar.

Kujtojmë se vizita e tij më e fundit në këtë vend ishte në janar të këtij viti, gjatë një periudhe të tensionuar në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Atëherë, ai u angazhua aktivisht për të ndihmuar në zbutjen e konfliktit dhe parandalimin e eskalimit të situatës.

Biden, kishte dënuar ashpër sulmin e Hamasit dhe ka shtuar se SHBA-ja është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e nevojshme Izraelit.

Më 7 tetor, grupi militant Hamas nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit në vite, duke e sulmuar nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra dhe po vazhdon që ta bombardojë Gazën, territor ku jetojnë rreth 2 milionë banorë.

Izraeli në fillim të javës ka thënë se ka “rrethuar plotësisht Gazën”, që nënkupton se nuk do të lejojë në këtë territor të shkojnë furnizime të ushqimit e karburanteve.