Blinken nuk do të “ngurrojë” të angazhohet drejtpërdrejt në bisedimet Kosovë-Serbi

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mund të telefonojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, nuk do të ngurrojë të telefonojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me dialogun midis dy shteteve fqinje.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, teksa është pyetur lidhur me mundësinë e përfshirjes direkte të Blinken, para një shtatorit, kur edhe pritet të zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me reciprocitetin e targave dhe dokumenteve.

“Nëse mendojmë se angazhimi i sekretarit Blinken nëpërmjet telefonit ose personalisht është i domosdoshëm për të arritur diçka në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”, ka thënë ai për “The Pavlovic Today”.

Sipas Price, SHBA-ja inkurajon Kosovën dhe Serbinë që ndërmjetësimin e BE-së ta përdorin si mundësi në mënyrë efektive.

“Ne kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç thashë javën e kaluar, mirëkuptimi ynë është se bisedimet janë në vazhdim. Ne jemi duke vëzhguar. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në dhe po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive”.

“Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi për të çuar përpara diskutimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar edhe në njohjen reciproke gjithashtu”.

Sa i përket vizitës së të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në Kosovë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka thënë se Escobar do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd pikërisht për të treguar mbështetjen e ShBA-së për dialogun.

“Escobar do të udhëtojë në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur dialogun, për të vazhduar të tregojmë interesimin dhe angazhimin tonë të nivelit të lartë për këtë çështje. Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”, shtoi ai.

Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë, Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë të martën në Prishtinë.

Sipas këtyre burimeve, ata do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Në takimin e fundit në nivel të krerëve shtetëror nga Kosova e Serbia, i cili kishte zgjatur më shumë se pesë orë, nuk kishte pasur marrëveshje. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, kishte thënë se përkundër mundësisë për një marrëveshje, dialogu duhet të vazhdojë ditëve në vijim.

Borrell u shpreh se për çdo eskalim të gjendjes në terren, të dyja palët do të jenë përgjegjëse, teksa tha se takimi i ditës së enjte nuk ishte takim i rregullt, por ishte më shumë një takim për t’i zgjidhur tensionet në Veri të vendit.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika