Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka reaguar ndaj presidentit të Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodikut, i cili sipas sekretarit të SHBA-së, është duke bërë sulme ndaj lirive themelore të njerëzve në Republikën Srpska.

Blinken e ka krahasuar rrugën e Dodikut me atë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit.

“Sulmet e Milorad Dodik ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Republika Srpska tregojnë se ai është në rrugën autoritare të Presidentit të Rusisë Vladimir Putinit”, ka shkruar në Twitter sekretari amerikan i Shtetit.

Më tutje, Blinken ka përfunduar duke thënë se Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përfaqësuar nga Ambasada e SHBA-së në Bosnjë do të vazhdojë të avokojë për të ardhmen demokratike dhe të begatë që e meritojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës.