Blinken thirrje Kosovës dhe Serbisë: Mosmarrëveshjet zgjidhni në mënyrë paqësore
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që në mënyrë paqësore t’i zgjidhin problemet. I pyetur nga The Pavlovic Today të hënën në lidhje me mesazhin e sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke pasur parasysh se afati i 31 tetorit për ndërmjetësimin e marrëveshjes për targat po afrohet, […]





Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që në mënyrë paqësore t’i zgjidhin problemet.
I pyetur nga The Pavlovic Today të hënën në lidhje me mesazhin e sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke pasur parasysh se afati i 31 tetorit për ndërmjetësimin e marrëveshjes për targat po afrohet, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ripohoi mbështetjen amerikane për bisedimet Kosovë-Serbi.
“Mesazhi ynë për këtë ka qenë konsistent. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Price.
“Kjo është arsyeja pse DAS Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabe Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb, Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor”, vijoi Price.
Price beson se Kosova dhe Serbia do të mund ta zgjidhin mosmarrëveshjen për targat në mënyrë paqësore.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, me shpresën se ato mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price për The Pavlovic Today.
Ditë më parë në lidhje me çështjen e targave, emisari amerikan, Gabriel Escobar kishte deklaruar se ka kërkuar nga pala kosovare ta shtyjë afatin për zbatimin e vendimit, por sipas tij një gjë të tillë nuk e kishte pranuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Po ashtu, edhe Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi për zbatimin e marrëveshjes për targa nuk do të shtyhet për dhjetë muaj, ashtu siç është duke kërkuar bashkësia ndërkombëtare.




















