Blinken – Vuçiqit: Përgjegjësit për sulmin në Banjskë ndodhen në Serbi, të mbajnë përgjegjësi
“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi”. Kështu thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit për bisedën telefonike në mes të Sekretarit, Antony Blinken dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Kështu duke ia bërë të qartë presidentit serb se pas sulmit terrorist në Banjskë […]
“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Kështu thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit për bisedën telefonike në mes të Sekretarit, Antony Blinken dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Kështu duke ia bërë të qartë presidentit serb se pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, terroristët ikën për në Serbi.
Gjithashtu, siç theksohet në deklaratë ata kanë biseduar për de-përshkallëzimin e tensioneve pas këtij sulmi dhe, se Blinken ka shprehur mbështetjen ndaj KFOR-it dhe EULEX-it për veprimet e tyre ndaj kësaj ngjarje.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka biseduar sot me presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Sekretari Blinken dhe presidenti Vuçiq diskutuan rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vdekjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës. Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi. Sekretari shprehu mbështetjen e tij për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it në reagimin ndaj kësaj ngjarjeje, duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin sfida të papranueshme për KFOR-in dhe komunitetin ndërkombëtar dhe përshëndeti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të autorizuar forca shtesë”, thuhet në deklaratën e DASh-it.
E ky sulm bëri që Serbia të dislokojë trupa ushtruake përgjatë kufirit me Kosovën, ku përtej Atlantikut koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit.
“…Ne po monitorojmë një dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën që përfshin një organizim të paprecedentë të artilerisë, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë serbe”, ka thënë Kirby.
Uashingtoni zyrtar e cilësoi këtë si një zhvillim shumë destabilizues dhe i bëri thirrje Serbisë që të tërheqë forcat ushtarake nga kufiri dhe të ulë tensionet.















