Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se duhet të ndryshohet propozimi për kryetar të Kuvendit.

Ai para mediave ka thënë se tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë përbërë shkelje kushtetuese, dhe ka paralajmëruar se sot do të dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

“Unë nuk e kam parë intervistën e Kurtit sepse ka qenë një koncert shumë më i vlefshëm se fjalët e tij. Kurti ka fituar 48 mandate, por nuk është në gjendje të formojë shumicën parlamentare…”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se Kurti po e pret me frikë datën 12 tetor, pasi sipas tij, në zgjedhjet lokale do të pësojë humbje të rëndë, më të thellë sesa ajo para katër vjetësh.

Në lidhje me deklaratat e Kurtit në një emision televiziv mbrëmjen e së mërkurës, ku tha se zyrtarët e partive marrin instruksione nga të arrestuarit në Hagë, Krasniqi ka reaguar duke thënë se “ndoshta Kurti po trembet sepse shumë shpejt do t’i presim në mesin tonë çlirimtarët”.

“Tmerrohet nga fakti që do t’i kemi në mesin tonë çlirimtarët. Këto janë frikëra që shfaqen në nëndijen e tij”, ka thënë Krasniqi.