Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të bllokohet përkohësisht segmenti rrugor Brezovicë–Prevallë në rrugën R115, për shkak të zhvillimit të punimeve.
Sipas njoftimit, bllokimi do të zgjasë nga ora 08:00 deri në ora 18:00, me kërkesë të operatorit ekonomik që po realizon punimet në këtë segment, i cili ka kërkuar asistencë policore për menaxhimin e qarkullimit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim dhe të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor gjatë intervalit të lartpërmendur, duke shfrytëzuar rrugët alternative për të evituar vonesat dhe vështirësitë në komunikacion.