Departamenti Special i Gjykatës Themelore i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh zyrtarit policor, Bojan Jevtiq, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh.

Jevtiq, i cili është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2002, dyshohet se përcillte informacione dhe dokumente konfidenciale tek inteligjenca e Serbisë.

Pas seancës dëgjimore, Gjykata konstatoi se pesha e veprës penale është e rëndë dhe se caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm – edhe për faktin se nëse lihet në liri i dyshuari mund të ndikojë në prova.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund t’i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penal spiunazhi, si dhe duke marr për bazë faktin se i njëjti cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”– GJYKATA THEMELORE E PRISHTINËS

Pa dhënë detaje, prokurori i rastit Bekim Kodraliu theksoi se në aksionin e së enjtes kanë siguruar dëshmi që vërtetojnë fajësinë e Jevtiqit.

“Kemi siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale, në bazë të të cilave kemi vërtetuar fuqishëm dyshimin e bazuar se ai është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm, i cili cenon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve të saj dhe qytetarëve të saj… Një shumë të caktuar parash, të cilat ne dyshojmë se i pandehuri i ka përfituar duke e kryer veprat penale për të cilat edhe dyshohet”, ka thënë Bekim Kodraliu, Prokuror i rastit.

Duke mos treguar nëse bëhet fjalë për rrjet spiunazhi ose vetëm një person, prokurori foli vetëm për natyrën e dokumenteve që i gjetën Jevtiqit.

“Janë dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e rendit juridik dhe të qytetarëve të saj. Për momentin, dhe për shkak të hetimeve që jemi duke i zhvilluar kërkojë mirëkuptimin e hjuaj që të mos citohen me emër (dokumentet), por në fazën e mëtutejshme do të informoheni për të gjitha materialet dhe provat të cilat e akuzojnë të pandehurin Bojan Jevtiq”, ka thënëBekim Kodraliu, Prokuror i rastit.

Avokati Milosh Nikoliq, i cili u paraqit me vëllain e Bojan Jevtiqit, Ljubisha Jevtiq, treguan se kishin ofruar dorëzani në vlerë 15 mijë euro që të mos caktohej masa e paraburgimit.

Ndërsa nuk patën qëndrim për dokumentet konfidenciale të gjetura në shtëpinë familjarit dhe të mbrojturit të tyre.

“Pasi që është hetim, ende nuk kemi qasje në prova, nuk na janë dorëzuar listat. Kur të na dorëzohen nga Prokuroria, atëherë mund të komentojmë. Vetëm kemi kërkesën për paraburgim. Kaq”, ka thënë Milosh Nikoliq, Avokat

Krahas veprës penale spiunazh, Jetviq dyshohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje – pasi gjatë aksionit i ishte konfiskuar një armë e shkurtër dhe një sasi municioni.

Teksa përmendi se ky është rasti gjashtë i arrestimit të spiunëve të Serbisë në Kosovë në 15 muajt e fundit, njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala vlerësoi lartë punën e inteligjencës kosovare.

“Identifikimi i rastit të gjashtë, ndërlidhet me pesë rastet tjera, sipas të gjitha gjasave, sepse BIA serbe duke parë intensitetin e shtuar të AKI-së, duke dekonspirua agjentët e tyre, përmes punëtorëve, operatorëve të BIA-së në brenda strukturave të sigurisë ka tentuar të marrë informacione se si janë dekonspiruar i gjithë rrjeti i tyre inteligjent”, ka thënë Drizan Shala, Njohës i çështjeve të sigurisë.

Te enjten, televizioni Dukagjini solli detaje ekskluzive të operacionit të përbashkët të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë Speciale për arrestimin e Bojan Jevtiq.