Borrell: Në Pragë po krijojmë një rend të ri pa Rusinë
“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, është shprehur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell. Rendi i […]





“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, është shprehur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Rendi i ri do të jetë sinjal për Rusinë nga liderët e 44 vendeve evropiane, nga samiti i Komitetit të ri Politik Evropian i cili është duke u zhvilluar në Pragë të Çekisë.
“Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu”, ka shtuar Borell.
Ndërsa, kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Evropian ka paralajmëruar për samitin e parë të 44 krerëve të shteteve në Evropë, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në ketë samit, sipas të parit të qeverisë çeke, pritet të diskutohet mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit.
“Presidenca çeke e BE-së po përballet me sfida dhe kriza të mëdha nëpër të cilat po kalon Evropa dhe të cilat do të jenë temë e diskutimeve të para të bashkësisë politike evropiane, qoftë paqja dhe siguria, energjia, mjedisi, ekonomia”, është shprehur nikoqiri i samitit, Fiala.
“Qëllimi nuk është që të arrihen konkluzione me shkrim, ndonjë përfundim me shkrim. Qëllimi është që të diskutohet dhe të krijohet një lloj marrëveshjeje kornizë lidhur me veprimet e mëtejshme të vendeve evropiane në ato fusha”, shtoi ai.
Ndër ata që do të takohen në kështjellën historike të Pragës më 6 tetor janë liderët e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnjës, Gjeorgjisë, Islandës, Kosovës, Lihtenshtajnit, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Norvegjisë, Serbisë dhe Zvicrës.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, do të marrë pjesë personalisht, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky do të bashkohet me video-lidhje, raporton REL, transmeton Portali Dukagjini.




















