Borrell paralajmëron edhe një takim të mundshëm të liderëve evropianë me Kurtin e Vuçiqin
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Disa takime të tilla u zhvilluan më herët në Bruksel, në margjina të një samiti të BE-së. Ato shihen si përpjekje për të […]
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Disa takime të tilla u zhvilluan më herët në Bruksel, në margjina të një samiti të BE-së.
Ato shihen si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, u ka thënë Borrell gazetarëve.
Kurti dhe Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Meloni ka thënë se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, ka deklaruar kryeministrja italiane.
Derisa Kurti dhe Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se përgëzon kryeministrin e Kosovës “për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese, lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Rama në platformën X.
Siç ka raportuar REL, burimet e BE-së thonë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësojnë se për çka bëhet fjalë.
Ndonjë takim i përbashkët i Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar, por i njëjti nuk përjashtohet nëse, siç thonë burimet, ka përparim.















