Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar lidhur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe BE-së, për hapat e parë drejt stabilizimit të situatës në veri të Kosovës.

Në një postim në Twitter, Borrell ka shkruar se “e mirëpret përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes që arritëm në hapat e parë për deeskalim”.

Po ashtu, ai ka thënë se BE-ja pret që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim.

“Ne presim që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë dhe të vazhdojë përparimin në këtë drejtim”, ka shkruar Borrell, duke shtuar se do të vazhdojë puna me palët në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja arritën pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit. Megjithatë, ato u bën publike një ditë më pas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar në Twitter për marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian për të zvogëluar tensionet në veri të vendit.

“Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për deeskalimin në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti.

Ai gjithashtu ka publikuar katër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje.

Katër pikat kyçe të marrëveshjes.

Ndryshe, kryeministri Kurti, gjatë ditës, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”.

Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.