Borrell rithekson: Barrikadat duhet të hiqen, t’i kthehemi propozimit që kemi vënë në tryezë

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, sërish ka bërë thirrje që të depërshkallëzohet situata në veri të Kosovës e të hiqen barrikadat nga rrugët, duke thënë "palët duhet të kthehen në qetësi e t'i kthehen diskutimit për propozimin që kemi vënë në tryezë"

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell





Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, sërish ka bërë thirrje që të largohen barrikadat në veri dhe situata të kthehet në normalitet.

Borrell para hyrjes në takim të Këshillit Evropian ka thënë se do t’i njoftojë liderët për situatën.

“Unë do t’i informoj liderët për situatën dhe do të kërkoj nga të gjithë në rajon që të qetësohet situata dhe t’i kthehen dialogut – që është rruga e vetme për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Borrell.

Ai ka theksuar se është absolutisht e rëndësishme që këto lloj telashe të ndalen, të hiqen barrikadat, palët të kthehen në qetësi dhe të kthehen në diskutime, duke përmendur propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania.

“Diskutimi për propozimin që kemi vënë në tryezë, për të kërkuar një zgjidhje koherente dhe të përhershme të tensioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka vijuar ai.

Sipas tij, si tentim që të ulen tensionet në veri, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak të martën e të mërkurën zhvilloi takime në Prishtinë e Beograd.

“Ju e dini që ditët e fundit jemi përballur me telashe të mëdha në veri të Kosovës. E dërgova Miroslav Lajçak, përfaqësuesin tonë special për Dialogun Kosovë-Serbi, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd menjëherë pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme”.

Ndryshe, për të gjashtën ditë me radhë, në veri të Kosovës disa rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kamionët vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudar, në Zveçan.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, që autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.

Përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadave në Veri, të njëjtat ende nuk janë larguar.

Madje, të mërkurën e 14 dhjetorit, një barrikadë e re është vendosur në fshatin Zupç, të komunës së Zubin Potokut.

 

 

 





Shija e redaktorit

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar...

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë...

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar – këtë javë përfundon...

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot mban konferencë për media për të njoftuar mbi ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë,...

Të fundit nga rubrika