Borrell thotë se BE-ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë

Bashkimi Evropian (BE) mbështet plotësisht planin e paraqitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që do të mundësonte një armëpushim të qëndrueshëm në Gazë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Bashkimi Evropian (BE) mbështet plotësisht planin e paraqitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që do të mundësonte një armëpushim të qëndrueshëm në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare, tha kryediplomati i bllokut, Josep Borrell në një deklaratë.

Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, mes të tjerash përfshin armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

“Bashkimi Evropian vlerëson përpjekjet e vendosura të SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit në lehtësimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, njëkohësisht duke garantuar sigurinë e Izraelit, për të cilën BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar”, thuhet në deklaratë.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

“Nevojitet urgjentisht një armëpushim i qëndrueshëm, për të siguruar mbrojtjen e civilëve, lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve, siguria dhe mirëqenia e të cilëve është shqetësuese, dhe për të rritur rrjedhën e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në Gazë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Në fund, BE-ja u ka kërkuar palëve të pranojnë dhe përmbushin propozimin trefazor, duke thënë se “është e gatshme të kontribuojë në ringjalljen e një procesi politik për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, dhe të mbështesë një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës”.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite./REL

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika