Bosnjë -Hercegovina ka shënuar fitore 3:1 ndaj Katarit në ndeshjen e fundit të Grupit B, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën nokaut të Kupës së Botës.
Me këtë fitore, boshnjakët e përfundojnë grupin në vendin e tretë me katër pikë, ndërsa Katari eliminohet nga turneu.
Në ndeshjen e zhvilluar në Seattle të mërkurën mbrëma, Bosnjë e Hercegovina e mbylli pjesën e parë me epërsi 2:1. Kerim Alajbegoviq dhe një autogol i Sultan Al Brakes i dhanë avantazhin 2:0, para se Hasan Al Haydos të ngushtonte shifrat për Katarin.
Fitoren e Bosnjës e vulosi Ermin Mahmiq në minutën e 80-të, pasi u aktivizua në lojë në vend të Edin Xhekos në minutën e 64-t.
Me katër pikë të grumbulluara, Bosnjë e Hercegovina mbetet në pritje të rezultateve të grupeve të tjera për të mësuar nëse kalon në fazën tjetër.