Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se rreth 2.5 milionë copë monedha prej 2 euroshe janë tërhequr nga qarkullimi dhe janë deponuar në BQK.
Siç thuhet në njoftimin e tyre, që nga zbatimi i operacionit të masave të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme në muajin dhjetor 2023 deri në muajin prill 2024 janë zbuluar dhe parandaluar hyrja në sistemin financiar të rreth 54,000 copë monedha të dyshuara si të falsifikuara.
Ndërsa, një numër prej 5.82 milionë copë kartëmonedha euro të reja janë furnizuar për riqarkullim në shumën prej 261.6 milionë euro.
Po ashtu, janë importuar 5 milionë copë monedha të reja dhe eksportuar 2.4 milionë copë monedha të 2 eurove.

Numri i kartëmonedhave prej 500 eurove të tërhequra nga qarkullimi ka shkuar mbi 266,000 copë, në vlerë prej mbi 133 milionë euro.
Gjashtë (6) banka janë licencuar për import/eksport të parave të gatshme dhe janë dhënë 57 autorizime për transport të parave të gatshme në vlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro.