Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në tryezën e nivelit të lartë me temën “Payment Systems in the Western Balkans: Progress Report and Future Developments”, organizuar nga Banka Botërore në kuadër të Takimeve Pranverore 2025 të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që po mbahen në Washington D.C.
Tryeza mblodhi drejtues të lartë nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), Banka e Italisë, ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

akimi u hap me fjalët përshëndetëse të Drejtorëve Ekzekutivë të Konstituencave përkatëse të Bankës Botërore, si dhe me fjalët hyrëse të Zëvendëspresidentes së Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, znj. Antonella Bassani, dhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, z. Piero Cipollone.
Diskutimet u fokusuan në zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve të pagesave në rajon, duke trajtuar çështje kyçe si: potenciali i pagesave digjitale vendore dhe ndërkufitare, përfitimet ekonomike nga integrimi në SEPA, përdorimi i pagesave të shpejta, ndërlidhja me tregun evropian të pagesave, si dhe rëndësia e koordinimit rajonal dhe mbështetjes nga organizatat ndërkombëtare.
Në adresimin e tij, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e implementimit të një sistemi të përbashkët rajonal për pagesa të menjëhershme, duke nënvizuar se digjitalizimi është një proces transformues i pashmangshëm, ndaj institucionet duhet të sigurojnë që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë maksimalisht nga këto zhvillime. Ai potencoi se Kosova, me popullatën e re, nivelin e lartë të përdorimit të internetit dhe pajisjeve të mençura, si dhe kërkesën gjithnjë në rritje për shërbime të shpejta digjitale, paraqet një potencial të madh për zhvillimin e sistemeve të pagesave në kohë reale. Po ashtu, theksoi se zvogëlimi i përdorimit të parasë së gatshme kontribuon në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe përfshirjes financiare.

Guvernatori Ismaili nënvizoi se projekti për TIPS Clone është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlera të Vogla 2021-2026 dhe Planin Strategjik të BQK-së 2024-2028, të cilat synojnë modernizimin e sistemeve të pagesave dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare. Ai vuri në dukje se BQK-ja ka nënshkruar një Letër Zotimi me Bankën e Italisë dhe po merr pjesë aktive në grupet teknike dhe drejtuese të projektit, duke ngritur njëkohësisht ekipe të brendshme për përgatitjen e implementimit.
Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili prezantoi edhe ambiciet për zhvillimin e shërbimeve të reja me vlerë të shtuar, si Request to Pay, Proxy ID dhe Pagesat përmes QR Code, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të përbashkët rajonale për të siguruar interoperabilitet dhe inovacion të harmonizuar në tërë rajonin.
Në përmbyllje të diskutimeve, u riafirmua rëndësia strategjike e zhvillimit të pagesave digjitale si një bazë për avancimin e përfshirjes financiare, integrimit ekonomik dhe modernizimit të tregjeve financiare në Ballkanin Perëndimor. U theksua se ndërtimi i një infrastrukture të përbashkët financiare do të përshpejtojë lidhjen me tregun evropian të pagesave dhe do të krijojë një bazë solide për inovacione të mëtejshme. Pati pajtueshmëri të gjerë mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjitha palëve të interesit – institucione publike, industri financiare dhe akterë privatë – për të ndërtuar një sistem pagesash të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe funksional, në përputhje me objektivat dhe mandatin e BQK-së.
Gjithashtu, u konkludua se mbështetja e vazhdueshme nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, së bashku me bashkëpunimin rajonal, janë të domosdoshme për të garantuar suksesin e integrimit financiar të rajonit në Bashkimin Evropian dhe për përafrimin me tregjet evropiane, duke sjellë përfitime të gjëra dhe afatgjata.