Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, është shprehur i bindur se trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të marrë një vendim të drejtë.
Në Debat Plus, Brahimaj tha se sipas tij vendimi i drejtë do të ishte shpallja e pafajshme e të gjithë të akuzuarve.
Duke folur për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Brahimaj e cilësoi gjykatën si “politike”, por tha se beson se trupi gjykues do të marrë një vendim lirues.
“Jam i bindur që është një gjykatë që do të marrë një vendim të drejtë. E vendimi i drejtë është shpallja e pafajshëm e të gjithëve të akuzuarve. Unë kujtoj edhe rastin tonë, rastin Haradinaj, dhe në librin e Geoffrey Nice, që ka qenë edhe prokuror në rastin e Slobodan Millosheviqit e tregon saktë që tri grupe prokurorësh kanë refuzua ta nënshkruajnë aktakuzën në rastin Haradinaj dhe e ka nënshkruar Carla Del Ponte. Dhe në rastin e Thacit dhe të tjerëve është një gjykatë politike, është ndërtuar me politik, por besoj që trupi gjykues do të marrë një vendim të drejtë, vendim lirues”, ka deklaruar Brahimaj.