Shkruan: Radomir Dimiq

Rastet kur Evropa ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj Sadam Huseinit të Serbisë dhe të Evropës – Aleksandar Vuçiqit – kanë qenë të rralla deri më tani. Përkundrazi, Evropa i ka toleruar vazhdimisht veprimet që bien ndesh me politikën e jashtme të përbashkët evropiane. Pikërisht për këtë arsye, ka rëndësi dhe domethënie të veçantë fakti që më në fund dikush në Evropë ka vendosur të denoncojë lëvizjet iracionale politike të këtij njeriu të pakontrollueshëm dhe të rrezikshëm renegati evropian – Aleksandar Vuçiqit.

Këtë e kanë bërë më shumë se 20 anëtarë të parlamentit britanik, të cilët i kanë kërkuar qeverisë së tyre një ndryshim të thellë në qasjen e politikës së jashtme ndaj Serbisë, pas pjesëmarrjes së Aleksandar Vuçiqit në paradën ushtarake në Moskë, më 9 maj. Ky është i vetmi veprim domethënës dhe i mirë që dikush ka ndërmarrë deri më tani kundër së keqes që populli serb e përjeton dhe e vuan prej më shumë se një dekade.

Ndaj, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për deputeten britanike Emma Lewell-Buck, e cila, së bashku me 25 parlamentarë të tjerë, ka nënshkruar një letër drejtuar ministrit të jashtëm, duke kërkuar një ndryshim të theksuar në politikën e jashtme britanike ndaj Serbisë pas pjesëmarrjes së Vuçiqit në një manifestim antievropian dhe paradë cinike të krimeve ndaj popullit ukrainas.

Për këtë arsye, mbështes plotësisht letrën e së vërtetës, në të cilën thuhet se Serbia nën Aleksandar Vuçiqin ka forcuar lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin: “veçanërisht duke qenë i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë, pavarësisht krimeve të tmerrshme të kryera ndaj Ukrainës që nga viti 2014”. Për më tepër, presidenti Vuçiq synon ta destabilizojë Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën dhe tërë rajonin e Ballkanit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Rusinë e Putinit, e cila kërkon të zhvendosë vëmendjen nga pushtimi i saj i plotë në Ukrainë.

Një reagim i tillë ndaj autokratit më të madh të Ballkanit është dashur të ndodhte shumë më herët, pasi gjatë sundimit të Vuçiqit, Serbia ka pësuar regres të madh demokratik, me sulme të vazhdueshme ndaj mediave, opozitës politike dhe shoqërisë civile, si dhe me korrupsion të përhapur, që ka shkaktuar protesta masive kundër qeverisë së tij muajt e fundit.

Vuçiqit nuk i është kundërvënë kurrë më parë askush nga faktorët evropianë në këtë mënyrë. Përkundrazi, edhe qeveritë e njëpasnjëshme britanike kanë mbështetur vazhdimisht integrimin euroatlantik të Serbisë, me shpresën se kjo do të sillte liri, prosperitet ekonomik dhe respektim të të drejtave qytetare dhe të njeriut, duke e larguar Serbinë nga Rusia e Putinit. Edhe pse ky dikur ishte një qëllim i lavdërueshëm, ngjarjet e 9 majit dëshmojnë, njëherë e përgjithmonë, se Vuçiq nuk ka asnjë interes për të shkëputur lidhjet me Rusinë, ndërkohë që promovon në mënyrë aktive ultranacionalistët dhe idetë e “Serbisë së Madhe”, çka rrezikon ta rikthejë Ballkanin në konflikte të përgjakshme.

Për këtë arsye dhe me plot të drejtë, parlamentarët britanikë i kërkojnë qeverisë së tyre ndryshim kursi, duke filluar me një seri sanksionesh të synuara ndaj presidentit Vuçiq, qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe përdorimin e të gjitha mjeteve diplomatike të nevojshme për të inkurajuar edhe autoritetet e tjera evropiane që të ndjekin këtë shembull. Sepse, nëse nuk i dërgohet tani një mesazh i fortë qeverisë së Serbisë, ekziston rreziku që regjimi i Vuçiqit të forcohet edhe më shumë dhe të dështojë përpjekja për të parandaluar përkeqësimin e situatës së brishtë të sigurisë në Ballkan.

Është për çdo lavdatë që parlamentarët britanikë kanë theksuar gjithashtu mbështetjen e tyre për studentët që protestojnë në Serbi dhe për qytetarët që kërkojnë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre – një të ardhme të lirë nga autoritarizmi dhe korrupsioni.

Ndryshe, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me Putinin, në gjuhë të rrjedhshme ruse, deklaroi: “duhet të zgjerojmë dhe forcojmë edhe më tej bashkëpunimin”, dhe u mburr se kishte fituar “kundër revolucionit të ngjyrosur të studentëve”.

Kjo thotë gjithçka për çfarë lloji diktatori ka përballë Evropa.

Pikërisht për këtë, nuk ka ilaç më të përshtatshëm për të sesa sanksionet evropiane ndaj tij. Ato do të sillnin qetësi në rajon dhe do të ishin një e mirë për vetë Serbinë – që të çlirohet nga ky përbindësh dhe nga çdo e keqe.

Sanksione? Po, unë jam për këtë.