Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar vetëm gjashtë ankesa brenda afatit ligjor 48-orësh pas përfundimit të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt. Këtë e ka bërë të ditur Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim përmes një postimi në Facebook.

Sipas Cakollit, tre nga këto ankesa janë parashtruar nga një kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dy nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe një nga koalicioni PDAK-LPB.

Shumica e tyre lidhen me procesin e votimit me postë nga diaspora, ku palët kërkojnë ose anulimin, ose përsëritjen e tij.

“Në PZAP, brenda afatit ligjor 48-orësh, janë parashtuar vetëm 6 ankesa.

Tri prej tyre janë nga një kandidat nga radhët e PDK-së; dy nga Lëvizja Vetëvendosje; si dhe një tjetër nga koalicioni PDAK-LPB.

Shumica e këtyre ankesave kanë të bëjnë me votimin me postë jashtë vendit: duke kërkuar respektivisht anulimin dhe përsëritjen e tij.

Ky numër i ulët ankesash tregon për një proces zgjedhor relativisht të qetë dhe pa parregullsi të mëdha, megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të trajtohen këto ankesa nga PZAP dhe nëse do të kenë ndikim në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, ka shkruar Cakolli.