Brigada 63 e parashutistëve të Serbisë stërvitet pranë kufirit, Hyseni alarmon për kërcënim dhe kërkon reagim urgjent
Stërvitjet e sotme të Serbisë, të cilat u panë nga banorët në Kacarevë të Kosovës, u realizuan vetëm 300 metra larg vijës kufitare.
KosovaPress mëson se stërvitjet e kërcimit me parashutë nga helikopteri janë realizuar në fshatin Muhovc të Serbisë. Sipas burimeve të Agjencisë, ato u kryen nga Brigada 63 e parashutistëve të Serbisë.
“Kjo njësi është e stacionuar në Nish, në aeroportin ‘Narednik-pilot Mihajlo Petrovic’”, bëjnë të ditur të njëjtat burime.
KosovaPress ka raportuar sot gjatë ditës për stërvitjet e pazakonta të cilat kanë shqetësuar banorët e fshatit Kacarevë.
Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, kanë nxitur edhe reagimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai ka apeluar organet e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon./KP
Hyseni: Stërvitjet ushtarake pranë kufirit janë provokuese për qytetarët