Britania dhe Franca bombardojnë një bunker nëntokësor armësh të ISIS-it në Siri

Avionë luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF) janë bashkuar me avionë francezë në një sulm të përbashkët ajror ndaj një depoje nëntokësore armësh në Siri, e përdorur nga grupi militant Shteti Islamik (IS), njoftoi Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas deklaratës, një analizë e kujdesshme e inteligjencës çoi autoritetet në përfundimin se objekti përdorej për ruajtjen e armëve dhe eksplozivëve dhe ndodhej në malet në veri të Palmyrës, një zonë historike në Siri qendrore, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Avionët tanë përdorën bomba të drejtuara Paveway IV për të goditur disa prej tuneleve të hyrjes drejt objektit… treguesit fillestarë sugjerojnë se objektivi u godit me sukses”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria shtoi se nuk ka asnjë shenjë për dëme ndaj civilëve nga sulmi i kryer vonë të shtunën dhe se të gjithë avionët u kthyen të sigurt.

Vlerësimi i detajuar i sulmeve është ende në zhvillim, por zyrtarët besojnë se “objektivi është neutralizuar me sukses”.

Avionët Typhoon FGR4 u mbështetën nga një avion furnizimi me karburant Voyager.

Lufta kundër ISIS-it

Shteti Islamik vendosi sundim xhihadist mbi pjesë të Sirisë dhe Irakut deri në vitin 2019.

“Ky veprim tregon udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendosmërinë tonë për të qëndruar krah për krah me aleatët tanë, për të shuar çdo ringjallje të Daesh-it dhe ideologjive të tij të rrezikshme dhe të dhunshme në Lindjen e Mesme”, tha Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se avionët e RAF-it kanë kryer patrullime ajrore mbi Siri për të “parandaluar çdo përpjekje për ringjallje” të IS-it pas humbjes së tij në betejën e Baghuzit në vitin 2019.

“Dua t’i falënderoj të gjithë pjesëtarët e forcave tona të armatosura të përfshirë në këtë operacion për profesionalizmin dhe guximin e tyre”, shtoi Healey.

“Ata ishin mes mijëra personelit britanik të dislokuar gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ky operacion, për eliminimin e terroristëve të rrezikshëm që kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës, tregon se forcat tona të armatosura janë të gatshme të veprojnë gjatë gjithë vitit, duke e mbajtur Britaninë të sigurt brenda vendit dhe të fortë jashtë tij.”

RAF ka përdorur dronë ajrorë dhe avionë të pilotuar për të goditur luftëtarë dhe objektiva të IS-it si pjesë e koalicionit ndërkombëtar që nga viti 2014.

Situata aktuale në Siri dhe Irak

Sipas Kombeve të Bashkuara, IS ende ka midis 5,000 dhe 7,000 luftëtarë në Siri dhe Irak.

Në nëntor, Siria – nën udhëheqjen e presidentit të ri Ahmed al-Sharaa – u bë vendi i 90-të që iu bashkua një koalicioni të udhëhequr nga SHBA-ja për të luftuar këtë grup.

Sipas zyrtarëve, qëllimi i koalicionit është eliminimi i elementeve të mbetura të të ashtuquajturit Shtet Islamik dhe ndalimi i rrjedhës së militantëve të huaj drejt Lindjes së Mesme.

Muajin e kaluar, ushtria amerikane kreu atë që e quajti një “sulm masiv” ndaj objektivave të IS-it në Siri, pas një prite ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil në Palmyra.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika