Britania e Madhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë për “pasoja” pas konfirmimit se dronët e prodhuar në Britani janë përdorur në sulmet e fundit ukrainase ndaj objektivave në territorin rus.
Kryeministri britanik Andy Burnham tha se Londra nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën.
“Ne nuk jemi miq vetëm në kohë të mira. Do të jemi atje në orën e nevojës së Ukrainës dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Burnham.
Më herët, Ambasada e Rusisë në Britani e akuzoi Londrën se po zgjedh “qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”. Ajo paralajmëroi se sa më e madhe të jetë përfshirja britanike në konflikt, aq më i lartë do të jetë “çmimi që do të paguajë”.
I pyetur për kërcënimin rus, Burnham tha se Britania po i ofron Ukrainës mbështetje në mënyrë që ajo të mund të mbrohet.
“Ky ka qenë qëndrimi britanik gjatë gjithë këtij konflikti, edhe nën kryeministrat e mëparshëm, dhe mbetet i tillë edhe me mua”, deklaroi ai.
Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë në Moskë dhe në zona të tjera të thella të territorit rus, duke goditur veçanërisht rafineritë e naftës dhe objektet logjistike.
Rusia ka paralajmëruar edhe më herët Britaninë për rolin e saj në furnizimin e Ukrainës me teknologji për dronë dhe raketa Storm Shadow.
Ambasada ruse tha se veprimet e Londrës “në mënyrë të pashmangshme do të kenë pasoja për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, pa specifikuar se çfarë masash mund të ndërmarrë Moska.
Britania është ndër mbështetësit më të mëdhenj ndërkombëtarë të Ukrainës që nga nisja e pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022. Ministria britanike e Mbrojtjes tha se vendi mbetet i përkushtuar për t’i siguruar Ukrainës pajisjet që i nevojiten për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.
Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, ndërsa forcat ruse kanë shënuar pak përparim në vijën e frontit gjatë muajve të fundit.
Megjithatë, viktimat civile kanë vazhduar të rriten. Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, 437 civilë u vranë në Ukrainë muajin e kaluar, numri më i lartë që nga maji i vitit 2022.