Britania e Madhe ka njoftuar masa të reja kundër vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë ndalimin e importit të produkteve të prodhuara në këto vendbanime dhe sanksione të tjera ndaj personave dhe strukturave që kontribuojnë në zgjerimin e tyre.
Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, e bëri njoftimin në Dhomën e Komunave, duke thënë se nuk beson se “populli britanik dëshiron që ne ta mbështesim okupimin duke pranuar produkte nga vendbanimet në dyqanet tona”.
Sipas Miliband, Britania do të krijojë një “regjim gjithëpërfshirës sanksionesh”, i cili do të përfshijë edhe përjashtime të përshtatshme për çështjet fetare, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Duke iu drejtuar personave dhe subjekteve që lehtësojnë krijimin dhe zgjerimin e vendbanimeve, Miliband paralajmëroi: “Do të përballeni me gjithë fuqinë e sanksioneve britanike”.
Miliband akuzoi gjithashtu kolonët izraelitë për dëbimin e palestinezëve nga tokat e tyre dhe tha se qeveria britanike pajtohet me vlerësimin se në disa zona të Bregut Perëndimor po ndodh “pastrim etnik”.
“Dhe shumë shpesh, qeveria izraelite ka mbyllur sytë ndaj kësaj”, tha ai.
Sekretari i Jashtëm deklaroi se qëndrimi zyrtar i qeverisë britanike është se okupimi izraelit i Bregut Perëndimor është “i paligjshëm”.
“Qëndrimi zyrtar i qeverisë britanike është se okupimi është i paligjshëm, për shkak të konsolidimit të kontrollit të Izraelit, synimit të tij për të zgjeruar sovranitetin e përhershëm dhe agjendës ekspansioniste përmes vendbanimeve të paligjshme”, tha Miliband.
Masat e reja do të përfshijnë edhe ndalimin e reklamimit në Britani të vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor.
Miliband theksoi se regjimi i sanksioneve do të synojë “vendbanimet e paligjshme dhe zgjerimin e tyre, jo Izraelin”.
Ai njoftoi gjithashtu sanksione ndaj një grupi të ri të kolonëve të cilët i përshkroi si “ekstremistë” dhe që kanë mbështetur ose nxitur akte dhune kundër komuniteteve palestineze.
Në kuadër të masave të reja, Britania do të zgjerojë edhe regjimin ekzistues global të sanksioneve për të drejtat e njeriut, me synimin për të mundësuar reagim më të shpejtë ndaj zgjerimit të vendbanimeve, përfshirë përpjekjet për të parandaluar zhvillimin e zonës E1, një projekt i propozuar për zgjerimin e vendbanimeve në lindje të Jerusalemit.