British Columbia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën, pasi mijëra njerëz në provincën perëndimore kanadeze u urdhëruan të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të një zjarri pyjor që po përhapej me shpejtësi dhe që pothuajse u dyfishua në përmasa gjatë natës.
Zjarri i quajtur “Bald Range” është përhapur me shpejtësi në rreth 9,500 hektarë, duke bërë që autoritetet të urdhëronin evakuimin në Summerland, Peachland dhe zona të tjera në perëndim të liqenit Okanagan, në pjesën jugore të brendshme të provincës.
Rajoni prodhon pjesën më të madhe të verës së British Columbia-s dhe është zona e dytë më e madhe prodhuese e verës në Kanada, raporton BBC.
Kryeministri i provincës, David Eby, ka thënë në një konferencë për shtyp të shtunën se një zyrtar i shërbimit zjarrfikës e kishte krahasuar zjarrin me “shpërthimin e një bombe”.
“Ai ka përshkruar flakë që arrinin deri te pemët 30 metra të larta”, ka thënë Eby.
“Shtëpi janë djegur dhe prona janë shkatërruar. Disa njerëz mbetën të bllokuar pasi kushtet ndryshuan shumë shpejt dhe u desh të shpëtoheshin”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se situata mbetej shumë dinamike dhe kërcënuese.
Summerland ka një popullsi prej rreth 12,000 banorësh, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, ndërsa në Peachland jetojnë rreth 6,500 banorë.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme i jep qeverisë provinciale qasje të menjëhershme në kompetenca të posaçme, përfshirë kufizimet e udhëtimeve dhe masat për mbrojtjen e furnizimeve, për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve, si dhe mjete të posaçme për koordinimin e operacioneve të shpëtimit.
Zyrtarët kanë thënë se zjarri Bald Range ka shkaktuar operacionin më të madh të evakuimit këtë verë, dhe se më shumë se 20,000 njerëz në të gjithë British Columbia-n janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.