Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ka shpërthyer me fyerje të rënda gjatë një seance parlamentare, duke sharë publikisht profesoreshën Marija Vasiq dhe deputeten e opozitës Jelena Jeriniq.

Incidenti ndodhi pasi deputetja Jeriniq përmendi rastin e profesoreshës Vasiq, duke cituar pjesë nga ditari i saj personal. Ajo tha:

“Në çdo kohë dhe në çdo situatë, unë do t’i besoj më shumë Marija Vasiq-it sesa juve.”

Kjo deklaratë e irritoi dukshëm Brnabiqin, e cila reagoi nga vendi i saj në Kuvend, duke thënë:

“Keni një besim të pakufishëm te Marija Vasiq dhe i besoni asaj për gjithçka. Atëherë na tregoni ju këtu kush nga Universiteti i Beogradit ka planifikuar grushtin ushtarak, pasi këtë e ka deklaruar Marija Vasiq.”

Pas kësaj, duke u larguar nga mikrofoni dhe e rrethuar nga duartrokitjet e kolegëve të saj nga partia, Brnabiq është dëgjuar duke sharë rëndë.

“Nanën ta q… Edhe ty, edhe Marija Vasiq-it.”, raporton N1.

Deklarata e Brnabiqit ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe mediat serbe, duke ngritur shqetësime serioze për gjuhën dhe sjelljen e papërshtatshme të kreut të Kuvendit të një shteti ndaj grave intelektuale dhe përfaqësueseve të zgjedhura.