Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë për të marrë vendim lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit.
Bugaqku ka thënë se afati prej 60 ditësh llogaritet nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese.
“Kur kërkesat parashtrohen në përputhje me paragrafin 5 të nenit 113, siç ishte sot që u parashtrua, ku deputetët e deponojnë një çështje në Gjykatë duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur dhe përmbajtjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë me dhënë vendimin në fjalë. Pra, afati maksimal është afati prej 60 ditësh nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai për Ekonomia Online.
Sa i përket kërkesës për masë të përkohshme, Bugaqku ka sqaruar se vendimi varet nga vlerësimi i Gjykatës për rrethanat, faktet dhe pasojat që mund të shkaktohen nëse masa nuk vendoset.
“Varësisht nga rrethanat, varësisht nga faktet, varësisht nga vlerësimi i dëmeve ose i pasojave që mund të shkaktohen në rast se nuk vendoset masa e përkohshme. Sepse ata e vlerësojnë çështjen në dy anë: ka apo jo nevojë të vendoset masa e përkohshme, apo vendosja e masës së përkohshme është e domosdoshme për të parandaluar dëmet e pariparueshme që mund të shkaktohen në rast se Kuvendi vazhdon të funksionojë edhe këtë javë apo edhe më tutje, po të themi ashtu. Sepse duhet kalkuluar që Kuvendi është funksional derisa të vendosë ndryshe Gjykata Kushtetuese. Pra, edhe vendimet e djeshme janë kushtetuese, ose konsiderohen si të tilla, deri në një vendim kur e vendos ndryshe Gjykata”, ka shtuar Bugaqku.
Sipas tij, Gjykata do të vlerësojë nëse ekziston rrezik për dëme të pariparueshme dhe nëse vazhdimi i funksionimit të Kuvendit mund të cenojë rendin kushtetues apo interesin publik.
Bugaqku tha se KDI ka kërkuar që të sqarohet nëse tejkalimi i afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit prodhon pasoja për mandatet e deputetëve, legjitimitetin e tyre dhe ligjshmërinë e legjislaturës.
“E para, unë nuk dua të paragjykoj vendimin që mund të prodhojë Gjykata Kushtetuese. Por si organizatë, ju e dini që kemi bërë së fundi dy reagime publike, ku kemi theksuar faktin që edhe pse Kuvendi, të themi ashtu, ka shkelur afatin kushtetues, ose deputetët e Kuvendit nuk e kanë zbatuar gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e kanë shkelur afatin kushtetues të konstituimit të Parlamentit të Kosovës brenda atij tridhjetëditëshi. Megjithatë, çdo veprim që ndodh në Kuvendin e Kosovës, qoftë për konstituimin e Kuvendit, qoftë për zgjedhjen e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit, apo dhe vendime të tjera që mund t’i prodhojë ky parlament i konsideruar si i konstituuar pas afatit tridhjetëditor, nevojitet të kemi qartësi kushtetuese”, ka shtuar ai.
PDK-ja të hënën kërkoi nga Kushtetuesja vendosjen e masës së përkohshme ndaj Kuvendit të ri, duke kundërshtuar mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve dhe duke pretenduar shkelje të afateve kushtetuese.
Kërkesa u dorëzua nga deputetët Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu.
Kuvendi u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon PDK-së, ndërsa disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria e re, në një seancë që u braktis nga PDK-ja, Aleanca dhe LDK-ja.
Gruda ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për mënyrën e formimit të Qeverisë.