Bullgaria blen 7 anije për çminimin e Detit të Zi

Bullgaria ka miratuar blerjen e shtatë anijeve për zbulimin dhe neutralizimin e minave detare nga Belgjika dhe Holanda, ndërsa aleanca e NATO-s synon të forcojë kapacitetet për pastrimin e minave dhe sigurimin e rrugëve të transportit detar në Detin e Zi, raportuan të enjten mediat lokale.

Së bashku me Rumaninë dhe Turqinë, Bullgaria ra dakord në një samit të NATO-s në korrik për zgjerimin e një force të përbashkët të angazhuar në pastrimin e minave lundruese në Detin e Zi, duke përfshirë edhe misione për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Tre vendet anëtare të NATO-s, të cilat ndajnë Detin e Zi me Gjeorgjinë, Rusinë dhe Ukrainën, krijuan në vitin 2024 forcën për çminimin e detit, në përgjigje të kërcënimit nga minat lundruese pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Sipas një marrëveshjeje shitjeje me Holandën, të miratuar nga parlamenti bullgar të mërkurën, Bullgaria do të marrë tri anije të pajisura për zbulimin dhe shkatërrimin e minave dhe objekteve të ngjashme me to. Një marrëveshje e veçantë transferimi mes Belgjikës, Holandës dhe Bullgarisë përfshin edhe katër anije të tjera.

Holanda është zotuar të rikthejë aftësitë teknike dhe të rrisë kapacitetet operative të tri anijeve para transferimit të pronësisë. Ndërkohë, Bullgaria do të paguajë për punimet e riparimit dhe restaurimit, në mënyrë që të shtatë anijet të arrijnë standardet operative të NATO-s.

“Këto anije për gjuetinë e minave janë veçanërisht të nevojshme. Ne kemi tri të të njëjtit lloj dhe me këto shtatë do t’i plotësojmë dhe forcojmë më tej kapacitetet tona”, deklaroi ministri bullgar i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov, para miratimit të marrëveshjes nga deputetët.

“Bullgaria është pjesë e grupit kundër minave, të krijuar së bashku me kolegët tanë nga Turqia dhe Rumania, dhe po punon në koordinim të shkëlqyer për pastrimin e hapësirave detare të të tria vendeve”, shtoi ai.

Memorandumi i mirëkuptimit për blerjen përfshin gjithashtu trajnimin e ekuipazheve, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë.

Të fundit nga rubrika