Pas raportimeve nga mediat se kanë filluar hetimet në lidhje me pretendimet e ish-drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Podujevës, ka reaguar kryetari Shpejtim Bulliqi duke thënë se e mirëpret një gjë të tillë.

“I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje. Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e së vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Por, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, hetimet ende nuk kanë filluar, ndërsa janë vetëm duke e shqyrtuar mundësinë për t’i nisur ato.

Këtë e ka bërë të ditur Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila ka thënë se nëse merret vendimi per nisjen e hetimeve, ai do të bëhet publik.

“Prokuroria është duke i shqyrtuar te gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore ne fuqi”, ka thënë shkurt zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Prokuroria fillon shqyrtimin ndaj pretendimeve të drejtorit të shkarkuar nga Bulliqi

Më 2 gusht të këtij viti, Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, kishte njoftuar se është shkarkuar nga pozita e tij.

Ai kishte thënë se të martën, pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht, në zonën e liqenit të Batllavës, ka pranuar një e-mail nga Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA) se është shkarkuar.

Mulliqi e kishte akuzuar kryetarin e Komunës së Podujevës se ka tentuar ta pengojë në kryerjen e detyrës së tij.

“Në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar”, ka shkruar ai.

Ai këtë shkarkim e ka quajtur skandaloz, ndërsa ka falënderuar të gjithë qytetarët e Podujevës për përkrahjen.