Që prej mosdekretimit të kandidatit Blerim Isufaj nga ana e presidentes Vjosa Osmani për kryeprokuror të shtetit, Këshilli Prokurorial nuk ka hapur konkurs të ri.

Vlora Bunjaku, aktiviste e lëvizjes FOL e cila ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, është shprehur se këshilli prokurorial duhet të zhvillojë një proces tjetër për zgjedhjen e kryeprokurorit.

“Lëvizja Fol bashkë me organizatat e tjera e cila i ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit Blerim Isufaj apo kandidatit i cili është nominuar, ka gjetur se ka pasur një proces që nuk ka shkuar edhe aq mirë” u shpreh Bunjaku, ku, sipas saj, ka qenë jotransparent dhe jomeritor në atë rast.

Sipas Bunjakut, ende nuk ka vendime të reja sa i përket këshilit prokurorial për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm.

“Normalisht që këshilli prokurorial duhet të tregohet më i aftë në këtë aspekt dhe duhet normalisht të zhvillojë një proces tjetër sa i përket zgjedhjes së kryeprokurorit,” shtoi ajo.

Tutje Bunjaku shtoi se “është në vullnetin e Këshillit Prokurorial për të vazhduar me procedura të reja dhe transparente duke përfshirë edhe shoqërinë civile, por edhe organizatat ndërkombëtare të cilat e kanë monitoruar edhe më herët këtë proces dhe është përgjegjësi e plotë e Këshillit Prokurorial të fillojë procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit”, tha aktivistja.