Burgim të përjetshëm dy vëllezërve Vllasaliu për vrasjen e Bedri Rexhepit
Me lot e duartrokitje nga familjarët e të ndjerit Bedri Rexhepi është pritur vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, për vrasjen e tij. Jeton e Nexhat Vllasaliu janë shpallur fajtorë e janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Rexhepi, të kryer në vitin 2021. Të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit nuk ishin […]
Me lot e duartrokitje nga familjarët e të ndjerit Bedri Rexhepi është pritur vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, për vrasjen e tij.
Jeton e Nexhat Vllasaliu janë shpallur fajtorë e janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Rexhepi, të kryer në vitin 2021.
Të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit nuk ishin asnjëri prej të akuzuarve, që janë aktualisht në paraburgim.
“Trupi gjykues një zëri në emër të popullit me datën 29 maj 2025 merr këtë aktgjykim të akuzuari Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu janë fajtor për shkak të veprave penale të kryer në bashkëkryerje dhe atë të vrasjes së rëndë, të sanksionuar me nenin 173… si dhe veprën penale dëmtimi i varreve apo kufomës..Kjo gjykatë në bazë të dispozitave të Kodit penal të republikës së Kosovës dhe kodit të procedurës penale të akuzuarit i gjykon me dënim me burgim të përjetshëm…”, ka deklaruar Medie Bytyqi- Kryetare e trupit gjykues.
Dënimin maksimal ndaj dy vëllezërve, familja e Bedri Rexhepit e cilësuan si meritor e të pritur.
“Pas një procesi të gjatë natyrisht të dhimbshëm për familjen e dëmtuar një proces që u shoqërua me shumë sfida e përpjekje për të ardhur te drejtësia sot familja e dëmtuar mori së paku një satisfakcion moral për dënimin që u shqiptuar atyrë që bënë gjithcka për ta mbuluar një krim, sot drejtësia foli, sot plagët janë më të lehta ndërkaq dënimi i shqiptuar është dënimi i pritur”, ka theksuar Besnik Berisha – Avokat i familjes së viktimës.
Pas pranimit të aktgjykimit të plotë, avokati i Nexhat Vllasaliut, thotë se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.
“Nuk e kam pritur këtë dënim sa i përket klientit tim Nexhat Vllasaliut është vendim i rëndë, burgim i përjetshëm në bashkëkryerje gjatë shqyrtimit kryesor ne kemi cek të gjitha të metat që ka pasur aktakuza, fatkeqësisht ato nuk janë përfillur mirëpo ky nuk është vendim përfundimtar, është vendim i shkallës së pare dhe do shohim si do të rrjedhin gjërat”, ka deklaruar Shemsedin Piraj – Avokat i Nexhat Vllasaliut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga janari i 2021 deri ne prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kanë planifikuar e organizuar vrasjen e Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Aty thuhet se i pandehuri Jeton në mënyrë tinëzare e kishte ngulfatur deri në vdekje viktimën, me mendimin se ka me vete shumën prej 30 mijë eurove. Kufoma e tij ishte gjetur një vit pas, në disa male të Novobërdës.















