Selatin Novosella- nga Shoqata e të Burgosurit Politik, ka folur për Burgun e Prishtinës, i cili do të shndërrohet në muze historik, ndërsa  ai është shprehur në cilësinë e  të ish-burgosurit politik.

Novosella ka thënë se, për të, dhe shokët e tij, dikur ishte e paimagjinueshme që  një ditë burgu ku ishin të burgosur politikisht do të shndërrohej në muze. Tutje ai ka treguar përgjigjen e Demaçit ndaj një gazetari i cili e kishte pyetur se çfarë është burgu.

“Burgu nuk shpjegohet, nuk analizohet, por vetëm përjetohet”, këto ishin fjalët e Adem Demaçit sipas Novosellës.

Për të, kjo ka ndodhur për shkak se kanë pasur shumë ndryshime rrënjësore.

“Në burgun e Prishtinës të burgosurit kanë përjetuar rrahje maltretime, gjymtime dhe tani ky burg të shndërrohet në muze, është lajmi mirë për të ish –burgosurit dhe për të gjithë Kosovën”, ka thënë Novosella, në RTV Dukagjini  në emisionin ‘FIVE’.

Ai ka vazhduar të tregojë herën e parë  që kishte qenë i burgosur në Burgun e Prishtinës, në vitin 1964, atëherë  kishte qenë anëtarë i Organizatës Revolucionare  për Bashkimin e Shqiptarëve e cila ishte e udhëhequr nga Adem Demaçi.

Por ai ka përfunduar se burgu është varrë për të gjallët.