Buxheti i Prishtinës për vitin 2026, ku fokusohen investimet?

Pjesa më e madhe e buxhetit të Prishtinës për sivjet do të jetë e orientuar kah investimet kapitale. Dokumenti që nxiti diskutime të ndryshme gjatë seancës së djeshme të jashtëzakonshme, megjithatë nuk përmban projektin kryesor të cilin e ka premtuar kryetari Përparim Rama. Sivjet është planifikuar rritje e buxhetit për drejtorinë e Administratës, veprim që sipas monitoruesve, është taktikë e shpeshtë e komunave. Kurse buxheti i është zvogëluar drejtorisë për mirëqenie sociale

Buxheti i Kryeqytetit për vitin 2026, i miratuar një ditë më parë në Kuvendin Komunal, nxiti debat mbi formën e shpërndarjes së mjeteve financiare.

Pjesa më e madhe e buxhetit që peshon mbi 151 milionë euro, është ndarë për investime kapitale.

Për këtë kategori do të jenë në dispozicion 53 milionë eurove, 23 milionë prej të cilave janë grant i përgjithshëm.

Në total në këtë kategori janë paraparë 41 projekte.

7 milionë euro janë të ndara për sheshin “Xhorxh Bush”, ndërsa 1.6 milionë euro janë ndarë për nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, dhe mbi 2.1 milionë janë ndarë edhe për ishullin e Arbërisë.

Unaza e jashtme e kryeqytetit, projekti kryesor me të cilin Përparim Rama bëri fushatë para dy mandateve të tij, nuk është përfshirë fare në buxhet.

Arsyet e mos përfshirjes së këtij projekti nuk i ka sqaruar komuna.

2 milionë euro janë ndarë për rrugën “A” dhe kolektorin atje, mbi 700 mijë euro më pak sesa në buxhetin e vitit të kaluar.

Premtim tjetër i Ramës ishte edhe digjitalizimi nëpër shkolla, e për një qendër të tillë, për punë, inovacion dhe qasje digjitale komuna ka ndarë nga burimet vetanake 100 mijë euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, ngritje të ndjeshme ka shënuar Drejtoria e Administratës, e cila sivjet do të ketë buxhet prej 4 milionë e 483 mijë, nga 3.8 milionë euro sa kishte vitin e kaluar.

E, kjo rritje e buxhetit për administratën, sipas monitoruesve të punës së komunave, është një taktikë që komunat e përdorin shpesh.

“Po ndodhë për t’i ikur matjeve të shpenzimeve që i bën Zyra e Kryetarit. Në të kaluarën kemi parë që janë publikuar vazhdimisht shpenzimet e kryetarit, sa ka shpenzuar në dreka zyrtare, udhëtime, reprezentacion dhe tash për t’i ikur fokusit shpenzimeve direkte të kryetarit, kanë vendosur që, praktikë edhe një pjesë e komunave tjera që buxheti të fokusohet në një kod buxhetor që shpenzohet nga Drejtoria e Administratës”, ka thënë Shemsi Jashari – Monitorues i komunave.

Zvogëlim i buxhetit është vërejtur tek Drejtoria e Mirëqenies Sociale.

Këtë vit, për të janë ndarë 430 mijë e 500 euro, nga mbi 480 mijë sa ishin vitin e kaluar.

Sa i përket objekteve të reja arsimore, Komuna ka paraparë ndërtimin e vetëm një shkolle dhe një çerdheje.

Kjo e fundit parashihet të ndërtohet mes Hajvalisë dhe Barilevës në vlerë të 150 mijë euro, ndërsa shkolla në në lagjen “Kalabria”, e cila planifikohet të kushtojë. 100 mijë euro.

E, sipas Jasharit, kjo tregon se Rama nuk i ka prioritet premtimet e tij gjatë mandateve.

“Mungesa e investimit në çerdhe shkakton problematikë te familjet e enkas te familjet e reja që e kanë të domosdoshme dërgimin e fëmijëve në çerdhe. Të flitet për mësimin tërëditor në Prishtinë e në anën tjetër të mos sigurohet infrastrukturë shtesë është në shpërputhje njëra me tjetrën dhe mendoj që nuk do ketë mësim-tërëditor sukses nëse nuk ka investime. Duket se shumica e premtime të bukura gjatë fushatës nuk po reflektohen në këtë buxhet”, ka thënë Shemsi Jashari – Monitorues i komunave.

Buxheti u miratua të premten me 33 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, me VV që kundërshtoi atë me arsyetimin se ndarja e mjeteve lë vend për dyshime për keqpërdorim.

Propozimin e mbështetën edhe PDK-ja, Lidhja Për Prishtinën dhe Nisma Socialdemokrate.

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika