Analisti politik Muhamet Bytyçi ka komentuar takimin e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke shprehur dyshime se ky takim mund të çojë në një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Bytyçi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se duke parë zhvillimet e fundit dhe afatin që po skadon, nuk pret që Kurti dhe Hamza të arrijnë një marrëveshje politike, ndërsa ka vlerësuar se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.
“Duke parë zhvillimet mund të themi se jemi drejt orëve të fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit mendoj se nuk ka me pas ndonjë marrëveshje dhe vendi do të shkojë në zgjedhje prapë sepse zotëri Kurti i ka dy pista – njëra që mund të marrë më shumë vota dhe tjetra që ky vakuumi institucional tash e dy vjet është shumë i favorshëm për qeveri të papërgjegjshme dhe hapësirë e jashtëzakonshme për abuzim e këto po i shohim prej aferave të korrupsionit e deri tek shkarkimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Nuk besoj tek asnjë marrëveshje me Hamzën se po të kishte vullnet do të ndodhte moti një e tillë. Mendoj që edhe takimi i sotëm është në frymën që zotëri Kurti po e kërkon viktimën e radhës politike”, u shpreh Bytyçi.
