Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Albana Bytyqi ka komentuar deklaratat e djeshme që erdhën nga LVV-ja se i kanë se i votat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por kërkojnë konsensus për Presidentin.
Sipas Bytyqit, një qasje e tillë e LVV-së e ka dërguar vendin në zgjedhje edhe në dhjetor si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje që do ta përfshinte edhe zgjedhjen e presidentit.
“Kjo qasje është shumë e gabuar, sepse po shkon pikërisht si në muajin dhjetor, kur shkuam në zgjedhje me këtë qasje se ne i formojmë institucionet, njëherë zgjedhet Qeveria e më pas Presidenti. Kështu ka shkuar si procedurë jo e rregullt. Edhe tani, nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje. Prandaj, paraprakisht duhet të bëhet një marrëveshje politike. Mirëpo, ne e dimë të gjithë se partia e parë fituese është dashur qysh moti t’i fillojë negociatat për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të mos vijë deri te dita e fundit, kur nuk mund të gjendet asnjë zgjidhje dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Nuk kemi ndonjë rezultat pozitiv.”, tha ajo për RTV21.
