Analisti politik, Ardian Bytyqi, ka komentuar vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si një përfitim të madh për vendin.

Bytyqi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se sipas tij masat e vendosura në qershor të vitit 2023 ishin të padrejta dhe kishin pasojë të dëmshme për Kosovën.

“Masat e vendosura ka qenë të padrejta të vendosura në qershor 2023 krejt kjo ka ndodhur si pasojë e krizës në veri me dorëheqjet e kryetareve të komunave dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Këto masa meqë ishin të padrejta për tri vite e kanë dëmtuar Kosovën pasi nga kjo masë i kemi humbur 7.1 milionë euro tërësisht ndërsa mbi 350 milionë ishin të ndara për mjedisin, 15 milionë për kulturë 114 milionë për energji dhe 57 milionë për digjitalizim – që nga qershori i 2023 e deri tash edhe pse tërheqja e këtyre masave ka filluar më 2025”, tha Bytyqi.

Bytyqi, mes tjerash, u shpreh se heqja e masave nga BE-ja është një përfitim i madh.

“Është jashtëzakonisht mirë që zotëri Kurti po ndryshon, mendoj se kjo duhet parë në dy dimensione në aspektin juridik mendoj se është gabim ndërsa në aspektin politik është një e mirë që i është bërë Kosovës – të hiqen masat nga BE-ja është jashtëzakonisht përfitim i madh dhe veprimet e fundit që i ka bërë Kurti me ligjet për të huajt dhe atë për automjete kur i sillet jashtëzakonisht përfitim i madh Kosovës mendoj që është veprim i mirë”, u shpreh Bytyqi.