Bytyqi: Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë ndikoi në parandalimin e incidenteve në veri

Profesori Seb Bytyqi, gjersa ka folur për situatën në veri të Kosovës, ku po mbahen zgjedhjet lokale, ka deklaruar se presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe Listës Serbe ka pasur ndikim në parandalimin e incidenteve në atë pjesë të vendit

Një numër i vogël i qytetarëve është vërejtur paraditen e së dielës në qendrat e votimit në veri të Kosovës, ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.

Me mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe – partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – nuk ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit, ndërsa, deri më tani nuk është raportuar për ndonjë incident në katër komunat veriore.

Në lidhje me këtë, profesori Seb Bytyqi ka thënë se presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe Listës Serbe ka pasur ndikim në parandalimin e incidenteve në veri.

“Ka pasur një presion mjaft të madh nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë dhe Listën Serbe që të mos ketë incidente. Dhe siç duket ka pasur efekt ky presion kështu që e keni parë që në fillim të fushatës kanë ndodhur disa incidente, mirëpo ka rënë numri i tyre, janë zvogëluar incidentet dhe nuk ka pasur ndonjë incident të dhunshëm”, është shprehur ai për RTV Dukagjinin.

Sipas tij, nëse nuk do të kishte reagime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për dënimin e dhunës dhe deklaratat se rezultati i zgjedhjeve do të njihej edhe pas bojkotit nga Lista Serbe, atëherë mund të kishte incidente.

“Po të mos kishte reagime nga ShBA-ja dhe BE-ja, po të mos kishte deklarata nga ato që e dënonin dhunën dhe theksonin se do të njihej rezultati i zgjedhjeve edhe nëse e bojkoton Lista Serbe, atëherë do të kishte incidente. Mirëpo siç duket i është dërguar një mesazh mjaft i qartë Serbisë që nuk do të tolerohen incidente”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Bytyqi ka thënë se edhe nëse numri i votave do të jetë i relativisht i vogël, të zgjedhur për kryetar janë legalë.

“Ajo çfarë mund të ndodhë në të ardhmen është që përmes ndonjë mekanizmi të organizohen zgjedhje të tjera. Për shembull këta kryetar mund të japin dorëheqje që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të tjera në të ardhmen. Mirëpo ai është vendim i tyre, nuk mund t’ia imponojë askush një gjë të tillë, përderisa janë legalë mbeten kryetarë”, ka deklaruar tutje Bytyqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi strukturat lokale të mbështetura nga Serbia, nuk kanë lejuar hapjen e shkollave si qendra të rregullta votimi.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës në veri dhe se Policia e Kosovës, sipas tij, nuk ka qenë kurrë më e përgatitur për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.

Zgjedhjet e parakohshme po mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave – të gjithë nga radhët e Listës Serbe – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika