Cakolli kritikon përpjekjen për votim të fshehtë në Kuvend: Cenim i sigurisë juridike dhe transparencës
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar mënyrën e votimit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të sigurisë juridike dhe të parimeve të transparencës në një sistem parlamentar demokratik. Sipas Cakollit, në sistemin parlamentar të Kosovës, votimi […]
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar mënyrën e votimit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të sigurisë juridike dhe të parimeve të transparencës në një sistem parlamentar demokratik.
Sipas Cakollit, në sistemin parlamentar të Kosovës, votimi i hapur është rregull, ndërsa votimi i fshehtë përbën përjashtim dhe aplikohet vetëm kur është i përcaktuar qartë me normë, si në rastet e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde e agjenci të pavarura.
Ai thekson se votimi i fshehtë nuk mund të përdoret thjesht sepse dikujt i leverdis politikisht, në rastet kur nuk arrin të sigurojë vota me procedura të rregullta.
“Së fundmi, disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.
Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm.
Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse “është më i lehtë” për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe.
Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë. Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit”, ka shkruar Cakolli.
Ai paralajmëron se nëse lejohet një ndryshim i tillë pa bazë të qartë ligjore, mund të rrezikohet e gjithë struktura e vendimmarrjes parlamentare, përfshirë edhe votimin e qeverisë apo çështjeve tjera me rëndësi të madhe politike.
“Çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë rrjedhës së procedurës përbën shkelje të sigurisë juridike. Në një rend demokratik, rregullat nuk ndërrohen rrugës. Deputetët, partitë – dhe mbi të gjitha qytetarët – duhet ta dinë që në fillim se si merret një vendim. Një proces që nuk është i parashikueshëm, nuk mund të quhet i drejtë.
Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme. Nëse sot mund të ndërrohet forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër mund të ndodhë e njëjta për Qeverinë, apo për secilën çështje tjetër me peshë politike.
Parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre. Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake”, ka shtuar më tutje Cakolli.















