Cakolli: LVV pritet të sigurojë mandatin e 53-të, garë e ngushtë mes PDK-së dhe LDK-së për ulësen e fundit

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje! pritet ta sigurojë mandatin e 53-të në Kuvendin e Kosovës, teksa numërimi i votave po shkon drejt përfundimit.

Sipas Cakollit, bazuar në trendet aktuale dhe numërimin e mijëra votave të mbetura, LVV pritet të arrijë në 53 ulëse, duke e konsoliduar pozicionin e saj si partia e parë në Kuvend.

Ai ka theksuar se megjithatë mbetet ende e paqartë se cila parti do ta humbë mandatin që i kalon LVV-së, duke paralajmëruar një garë shumë të ngushtë mes Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve aktuale, LVV ka 52 ulëse, PDK 22, LDK 19 dhe AAK 7.

Fillimisht, sipas tij, gjasat janë që LDK të humbë mandatin e 19-të, por deri në përfundim të numërimit të votave me postë dhe atyre me kusht, ekziston mundësia që PDK të mbetet pa mandatin e 22-të, ndërsa LDK të rikthejë një mandat.

“Kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë, tashmë është pothuajse e sigurt që shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë.

Sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate. Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.

Ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.
Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të.

Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit.

Kjo nënkupton se mandati i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në. Në anën tjetër, AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse.

Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave”, ka shkruar Cakolli.

Të fundit nga rubrika